Mitsotakis e konfirmon: Greqia do t’i japë dritën jeshile martesave të së njëjtës gjini

1 minute, 37 seconds Read

Më pak se dy javë nga rikonfirmimi me votë në zgjedhjet e 25 qershorit të qeverisë së tij të djathtë, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis ka dhënë një intervistë për Bloomberg.

Ai ka prekur disa nga çështjet më të nxehta, siç janë martesat e së njëjtës gjini, marrëdhëniet me Turqinë, demarkacioni i zonave detare dhe rritja e investimeve në turizëm.

Sa i përket martesave të çifteve të së njëjtës gjini, Mitsotakis konfirmoi se shumë shpejt Greqia do të çelë dritën jeshile.
“Shoqëria greke është shumë më e gatshme dhe më e pjekur. Martesat e çifteve të të njëjtit seks do të bëhen realitet dhe janë pjesë e strategjisë sonë”, tha kryeministri grek për këtë çështje.

Ndërkohë, siç vëren Bloomberg, Greqia kërceu me 5 vende në renditjen e organizatës ILGAEurope për të drejtat e LGBTI në Evropë, duke tejkaluar vende si Britania dhe Gjermania.

Sa i përket raportit me Ankaranë zyrtare, Mitsotakis është shprehur se “ka ardhur koha për të ripërcaktuar marrëdhëniet me Turqinë.

“Ne po diskutojmë vetëm për demarkacionin e zonave detare“, tha ai.

Deklaratat e kryeministrit grek vijnë një javë përpara takimit me Recep Tayyip Erdogan në samitin e NATO-s në Vilnius.

“Një udhërrëfyes për de-përshkallëzimin e tensioneve do na ndihmojë të gjejmë një mënyrë për t’u marrë me atë që ne e konsiderojmë problemin kryesor të pazgjidhur që kemi me Turqinë“, tha ndër të tjera Mitsotakis.

Ai e identifikoi këtë si përcaktimi i zonave detare në Egje dhe Mesdheun Lindor, pra shelfi kontinental dhe ZEE.

Por, Mitsotakis e bëri të qartë edhe një herë se Greqia nuk është e gatshme të diskutojë me Turqinë çështje që lidhen me sovranitetin apo mbrojtjen greke .

“Këto janë çështje që thjesht nuk janë për diskutim”, tha ai.

Publikime te ngjashme