Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka raportuar sot në Komisionin për shëndetësi dhe mirëqenie sociale, lidhur me Strategjinë legjislative të MSH-së dhe zhvillimet në sektorin e shëndetësisë.
Megjithëse viteve të fundit është raportuar për trendin të ikjes së mjekëve nga Kosova, Vitia thotë se numri më i madh është i atyre që po kthehen nga jashtë për të punuar në Kosovë, se sa i atyre që po e lëshojnë Kosovën.
Vitia para anëtarëve të komisionit tha se gjatë këtij viti ka një numër të madh të mjekëve që po kthehen për të punuar në Kosovë, nga vendet e evropës. Numër ky i cili është më i madh se i atyre që po ikin.
“Më shumë ka mjekë shqiptarë që kanë aplikuar për licencimnë Republikën e Kosovës nga evropa dhe nga shtete të tjera, se sa mjekë që kanë ikur nga Kosova. Kjo është hera e parë që është bërë ky kapërcim. Është hera e parë që këtë vit deri në shtator ka më shumë mjekë që kanë aplikuar për licencë, që të kthehen në Republikën e Kosovës, se sa që kanë marrë licencë, për të ikur jashtë Republikës së Kosovës”, tha Vitia.
Por më këtë çfarë tha ministri Vitia, nuk u pajtua anëtari i këtij komisioni nga radhët e LDK-së Armend Zemaj. Ai tha se mjekët nga jashtë janë kthyer në sektorin privat dhe jo në atë publik.
“A kanë apliku për me u inkuadruar për punësim në institucione private, sepse privat po shohim që ka lulëzu goxha shumë. A keni pas ndonjë konkurs në QKUK apo spitale rajonale që kanë aplikuar nga jashtë”, tha Zemaj.
Por Vitia tha se ka dhe mjekë nga jashtë që janë kthyer në sektorij publik.
“Ata janë kthyer në Kosovë z. Zemaj dhe po kontribuojnë me ligjërata dhe përvojën e tyre në QKUK . Një pjesë e madhe e tyre janë që kanë ikur më herët dhe tash po kthehen”, tha Vitia.