Ministri Sveçla fton qytetarët të mos bien pre e manipulimeve të grupeve kriminale në veri

1 minute, 17 seconds Read

Ministri i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Xhelal Sveçla, ka përdorur llogarinë e tij në rrjetin social Facebook për t’i ftuar gjithë qytetarët që të mos bien pre e manipulimeve të grupeve kriminale në veri, pas situatës së krijuar atje.

“Ftoj të gjithë qytetarët tanë që të mos bien pre e manipulimeve të grupeve kriminale të cilët për hir të përfitimeve kriminale personale e grupore dëshirojnë kaos dhe suspendim të shtetit të së drejtës e të demokracisë. Institucionet demokratike të Republikës së Kosovës do të jenë gjithnjë në shërbim të qytetarëve të vendit pa dallim dhe të pakompromis me sulmuesit e demokracisë, ligjit dhe qytetarisë”, ka shkruar ai në Facebook.

Po ashtu, ministri Sveçla ka deklaruar se kryetarët e betuar dje në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq do të vazhdojnë mandatin e tyre duke qenë në shërbim të të gjithë qytetarëve pa dallim.

Ai gjithashtu përgëzoi Policinë e Kosovës për “profesionalizmin e treguar në ballafaqimin me grupe të organizuara kriminale, që kishin për qëllim pengimin e këtij procesi”.

Sipas tij, pesë policët e lënduar, kanë lëndime të lehta, ndihen mirë dhe janë në detyrë.

Situata në veri është tensionuar që nga mesdita e sotme, si shenjë pakënaqësie nga serbët lokal pas betimit që kanë bërë dje kryetarët e komunave në Leposaviq, Zubin Potok, dhe Zveçan.

Publikime te ngjashme