Mijëra njerëz morën pjesë në funeralin e 10 prej 12 fëmijëve dhe adoleshentëve të vrarë në Majdal Shams, pasi një raketë nga Libani goditi një fushë futbolli në Rrafshnaltën Golan.
Në një deklaratë ushtria izraelite ka thënë se sulmi është më vdekjeprurësi për civilët që nga 7 tetori, shkruan AP.
Sulmi ka rritur shqetësimet për një luftë më të gjerë rajonale mes Izraelit dhe Hezbollahut, që e mohoi përfshirjen në sulm.
Të shtunën pak para perëndimit të diellit, një raketë ra në fushën e futbollit ku luanin dhjetëra fëmijë dhe adoleshentë, në fshatin Druze të Majdal Shams, që ndodhet 12 kilometra në jug të Libanit.
Dymbëdhjetë të rinj mes moshave 10 dhe 20 vjeç u vranë dhe 20 të tjerë u plagosën, sipas ushtrisë izraelite.
Të dielën në mëngjes shumë nga trupat u sollën në qendrën e komunitetit në Majdal Shams para funeralit, ku anëtarët e familjes vajtonin mbi arkivolet e vogla.
Një nga viktimat është varrosur në një qytet tjetër, ndërsa një tjetër është akoma i zhdukur.
Që nga tetori, sulmet izraelite në Liban kanë vrarë më shumë se 500 njerëz, kryesisht anëtarë të Hezbollahut, por gjithashtu rreth 90 civilë.
Në anën izraelite, janë vrarë 22 ushtarë dhe 24 civilë.