Mes bllokadës detare ndaj Iranit, Trump shkarkon Sekretarin e Marinës Amerikane

4 minutes, 14 seconds Read

Sekretari i Marinës, John Phelan, u shkarkua nga pozita e tij këtë të mërkurë, siç bëjnë të ditur gjashtë burime të mirinformuara për CNN, mes tensioneve të ashpra me Sekretarin e Mbrojtjes, Pete Hegseth, lidhur me zbatimin e reformave në ndërtimin e anijeve dhe raportin e tij tepër të afërt me Presidentin Donald Trump.

Zëdhënësi i Pentagonit, Sean Parnell, njoftoi të mërkurën mbrëma se largimi i Phelan hyn në fuqi “me efekt të menjëhershëm”, një zhvillim i papritur që vjen pikërisht derisa Marina Amerikane po zbaton një bllokadë në portet iraniane gjatë një armëpushimi në konfliktin me Iranin. Më herët, Hegseth kishte zhvilluar një bisedë me Trumpin dhe e kishte informuar Phelan-in se duhej të ofronte dorëheqjen ose do të shkarkohej, bëjnë të ditur dy burime të njohura me rastin, transmeton Sinjali.

e designplus-ks.com
Smart Watches
Buy Now
Headphones
Buy Now

“Presidenti Trump dhe Sekretari Hegseth u dakorduan se Marinës i nevojitet një udhëheqje e re”, ka pohuar një zyrtar i lartë i administratës.

Zyra e Sekretarit të Mbrojtjes nuk i është përgjigjur menjëherë kërkesave për koment, ndërsa Marina i ka drejtuar pyetjet te kjo zyrë dhe Shtëpia e Bardhë ka referuar deklaratën e Parnell-it dhënë për CNN.

“Në emër të Sekretarit dhe Zëvendëssekretarit të Luftës, shprehim mirënjohje për Sekretarin Phelan për shërbimin e tij ndaj Departamentit dhe Marinës së Shteteve të Bashkuara”, shkroi Parnell në platformën X, duke shtuar se Nënsekretari Hung Cao do të marrë detyrën si Sekretar i Përkohshëm i Marinës.

Ky njoftim konsiderohet tronditës për shkak të momentit kur po ndodh, me Marinën që po luan një rol kritik në parandalimin e kalimit të anijeve iraniane në Ngushticën e Hormuzit, ku deri më tani forcat amerikane kanë kthyer prapa 31 anije dhe kanë kontrolluar dy të tjera.

Burime të shumta pohojnë se tensionet mes Phelan dhe Hegseth zgjasnin prej muajsh, pasi ky i fundit besonte se Phelan po i zbatonte me ngadalësi reformat në ndërtimin e anijeve dhe ishte i irrituar nga komunikimi i tij i drejtpërdrejtë me Trumpin, që konsiderohej si përpjekje për ta anashkaluar autoritetin e tij. Njëkohësisht, Zëvendëssekretari i Mbrojtjes, Steve Feinberg, synonte të merrte kontrollin mbi përgjegjësitë e prokurimit dhe ndërtimit të anijeve, kompetenca këto që tradicionalisht i takonin Phelan-it.

Sipas një zyrtari të lartë të Shtëpisë së Bardhë, situata arriti kulmin gjatë një takimi të mërkurës midis Trumpit dhe Hegseth lidhur me çështjen e ndërtimit të anijeve.

Presidenti Trump, i pakënaqur nga progresi i ngadaltë, u bind se zëvendësimi i Phelan ishte i nevojshëm për një udhëheqës që vepron më shpejt, duke e udhëzuar Sekretarin e Mbrojtjes që të “kujdesej për këtë”, me ç’rast Hegseth i dërgoi mesazhin e dorëheqjes së detyrueshme.

Phelan, i cili nuk dukej se besonte që Trump ishte në dijeni të këtij vendimi, nisi të telefononte zyrtarë të tjerë të Shtëpisë së Bardhë për konfirmim, pikërisht në momentin kur Parnell lëshoi deklaratën zyrtare.

Ndonëse dy anëtarë të stafit i konfirmuan se vendimi erdhi nga vetë presidenti, Phelan kërkoi dëshmi shtesë duke shkuar personalisht në Shtëpinë e Bardhë për të pyetur kontaktet e tij në Ndërtesën e Zyrës Ekzekutive Eisenhower.

Në fund, pas insistimit për një takim, Trump e priti shkurtimisht në Krahun Perëndimor, ku i konfirmoi ballë për ballë se ai tashmë ishte i shkarkuar nga puna.

Phelan, një biznesmen pa përvojë të mëparshme ushtarake, kishte mbledhur miliona dollarë për fushatën e Trumpit përpara se të konfirmohej si Sekretar i Marinës në vitin 2025.

Në kohën e emërimit, Trump e kishte cilësuar atë si një “forcë të jashtëzakonshme” që do të udhëhiqte sipas vizionit “Amerika e Para”, duke vënë interesat e Marinës mbi të gjitha.

Ky shkarkim shënon rastin e parë të largimit të një sekretari shërbimi nën mandatin e Trumpit, megjithëse Hegseth ka shkarkuar tashmë shumë oficerë të lartë ushtarakë që nga marrja e drejtimit të Pentagonit.

Njoftimi i largimit u bë gjatë javës kur po mbahej konferenca e madhe vjetore detare “Sea-Air-Space” pranë Uashingtonit, ku Phelan ishte pjesëmarrës dhe folës aktiv.

Më herët, CNN kishte raportuar se emri i Phelan figuronte në manifestin e fluturimit të vitit 2006 të aeroplanit të Jeffrey Epstein, bashkë me financues të tjerë dhe agjentin francez Jean-Luc Brunel.

Një mik i afërt i Phelan-it u shpreh se ai ishte ftuar në atë fluturim nga drejtori i “Bear Stearns”, Jimmy Cayne, dhe se nuk ishte në dijeni të pronësisë së aeroplanit deri në mbërritje, duke mohuar çdo ndërveprim të mëtejshëm me Epstein./lajmishqip.net

Publikime te ngjashme