Mercenarët nuk po luftojnë më në Ukrainë, Putini “asgjësoi” Wagnerin

2 minutes, 9 seconds Read

Bombat thërrmuese amerikane kanë mbërritur në Ukrainë. Këtë e konfirmon vetë Pentagoni, por edhe zyrtarë të lartë të qeverisë e ushtrisë në Kiev. Ato janë dërguar si pjesë e një pakete ndihme të Shteteve të Bashkuara për një vlerë prej 800 milionë dollarësh.

Bombat thërrmuese janë të ndaluara në më shumë se 100 shtete të botës, por Ukraina është zotuar që t’i përdorë ato vetëm për të shtyrë pas ushtrinë armike të Rusisë. Ato janë tepër të rrezikshme për civilët, pasi lëshojnë një numër bombash më të vogla që mund të vrasin pa dallim në një zonë të gjerë, ndërsa ato që nuk shpërthejnë përbëjnë një rrezik për dekada që pasojnë.

Ky zhvillim vjen në një kohë kur Rusia ka vijuar me sulmet raketore dhe me dronë për të katërtën ditë radhazi. Mbrojtja ukrainase njoftoi rrëzimin e 23 dronëve, 17 prej të cilëve ishin iranianë, si dhe avancim në kundërofensivë. Nga ana tjetër ka dhe akuza ndaj Kievit se ka lëshuar raketa në territorin e Rusisë.

Sakaq, rrugët mes presidentit Vladimir Putin dhe Yevgeny Prigozhin duket se janë ndarë përgjithmonë. Shefi i Kremlinit njoftoi se ligjërisht grupi i ushtarëve privatë Wagner nuk ekziston në Rusi. Gjithashtu sqaroi se kreu i mercenarëve Prigozhin ka refuzuar ofertën e tij për një vend pune apo për të vijuar të luftojë në Ukrainë, por nën urdhrat e ministrisë së mbrojtjes.

Putini takoi në Kremlin Prigozhinin bashkë me mbi 30 mercenarë të tjerë më 29 qershor, vetëm 5 ditë pas rebelimit të armatosur të Wagner. Për ndarjen mes Putinit dhe ish kuzhinierit të tij ka ndërhyrë edhe presidenti amerikan, Joe Biden.

“Vetëm Zoti e di se çfarë mund të bëjë Prigozhin, unë nuk jam i sigurtë se ku gjendet, apo çfarë ka ndërmend të bëjë. Nëse unë do të isha në vend të tij, do të bëjë shumë kujdes se çfarë do të haja, do mbaja sytë ngulur në menu.”

JOE BIDEN, PRESIDENT I SHBA

Ndërkohë, Pentagoni njofton se mercenarët Wagner nuk kanë më një rol domethënës në luftën e Rusisë në Ukrainë. Aktualisht nuk dihet as vendndodhja e Prigozhin apo e luftëtarëve të tjerë, ndërsa atyre u është ofruar një mundësi strehimi nga Bjellorusia. Megjithatë ka zyrtarë të ushtrisë amerikane që besojnë se kreu i Wagner mund të ketë vdekur ose të jetë burgosur.

Publikime te ngjashme