Mbesa e Trumpit “godet” strategjinë evropiane: Mos negocioni me Trump, por kundërsulmoni!

1 minute, 12 seconds Read

Mary Trump, mbesa e Donald Trumpit, i ka bërë thirrje hapur Evropës që të “kundërsulmojë” pas paralajmërimeve të fundit të presidentit amerikan për vendosjen e tarifave ndaj shteteve që pengojnë blerjen e Grenlandës.

Duke komentuar një artikull të “New York Times”, i cili raportonte se “zyrtarët evropianë po zgjedhin rrugën e bisedimeve dhe jo hakmarrjen ndaj kërcënimeve të Trumpit”, Mary Trump deklaroi për CNN se ndjehet “tejet e lodhur” nga tentativat e vazhdueshme të liderëve për të negociuar me të.

“Jam tejet e lodhur nga kjo strategji e dështuar e negociatave dhe nënshtrimit, pasi një qasje e tillë vetëm sa e rrit fuqinë e tij. Kundërsulmoni!”, shkroi ajo përmes një reagimi në rrjetin social X.

Ndryshe, presidenti amerikan Donald Trump ka pohuar së fundmi se nuk e sheh më veten të obliguar të mendojë “vetëm për paqen”, deklaratë kjo e bërë në një letër dërguar kryeministrit të Norvegjisë, si arsyetim për kërcënimet rreth Grenlandës.

Kjo letër zyrtare, e cila i është drejtuar kryeministrit norvegjez Jonas Gahr Store, u është shpërndarë gjithashtu një numri të madh të ambasadave evropiane në Uashington, raportojnë mediat.

“Siguria globale varet drejtpërdrejt nga kontrolli ynë i plotë dhe absolut mbi territorin e Grenlandës. Ju faleminderit! President DJT”, përfundoi ai në mesazhin e tij./lajmishqip.net

 

Publikime te ngjashme