Në kuadër të edicionit të dytë të Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi.
Maqedonia e Veriut, sipas presidentes Osmani është shtet fqinj dhe njëkohësisht mbështetëse e Kosovës.
Osmani tha se Kosova dhe Maqedonia e Veriut mund t`i shkëmbejnë përvojat në procesin e integrimit evropian dhe në të njëjtën kohë shfaqu bindjen se ky shtet do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në rrugën evropiane.
![](https://telegrafi.com/wp-content/uploads/2024/04/SDS_9642.jpg)
Në këtë kontekst, presidentja tha se Kosova llogarit në përkrahjen e mëtejme të Maqedonisë së Veriut në procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës, sikurse edhe në NATO, BE dhe organizata ndërkombëtare.
Në prag të votimit në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Evropës, kryeministri Xhaferi njoftoi presidenten Osmani se mbështetja e Maqedonisë së Veriut është e plotë.
Në këtë takim u diskutua edhe për finalizimin e pikave të përbashkëta kufitare përpara fillimit të sezonit veror, sikurse edhe lehtësimin e të bërit biznes.