Shqiptarët që jetojnë në Serbi janë komuniteti më i shtypur në rajon nga aparati shtetëror, nuk iu lejohet as përdorimi i flamurit kombëtar, madje atyre institucionet serb janë duke ua pasivizuar edhe adresat, dhe siç ka treguar Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi (KKSH), Nevzad Lutfiu, numri deri më tani ka rritur në pesë mijë (5000).
Çështja e pasivizimit të adresave të shqiptarëve që jetojnë në Serbi, është ngritur edhe në Kongresin Amerikan dhe në Bashkimin Evropian, por deri më tani, përveç thirrjeve, nuk është ndërmarrë asnjë veprim ndaj pushtetit në Beograd për ta parandaluar këtë diskriminim.
Në një intervistë të shkurtër për Albanian Post, kreu i KKSH-së Lutfiu, ka treguar shifrat e adresave të pasivizuara, derisa ka paralajmëruar edhe veprime për ta ngritur zërin sa më shumë për këtë çështje, teksa ka kërkuar që Kosova dhe Shqipëria t’i ndihmojnë shqiptarët në Luginë.
“Janë mbi 5000 adresa te pasivizuara dhe numri është vazhdimisht në rritje!”, ngrit shqetësimin ai.
Para 5 dite (2 korrik), Lutfiu, përmes një postimi në Facebook, potencoi se procesi i pasivizimit po merr “përmasa të frikshme”, prandaj, duke qenë se shpërfaqja e këtij fenomeni në të gjitha raportet ndërkombëtare nuk është duke e ndaluar Serbinë në këtë drejtim, ai paralajmëroi edhe protesta.
Në këtë kontekst, AP ka pyetur Luftiun se kur priten që të mbahen këto protesta, dhe ai ka treguar se java e ardhshme do jetë vendimtare për të vendosur për këtë çështje.
“Ditën e hënë do t’i ftoj në takim liderët politikë të Luginës për të diskutuar situatën politike në vend dhe mes tjerash do te diskutojmë për këtë temë”, pohoi.
Deri më tani, Qeveria e Kosovës, e cila drejtohet nga Albin Kurti, nuk e ka ngritur dhe as nuk ka kërkuar që Lugina e Preshevës të bëhet pjesë e dialogut Prishtinë-Beograd, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Por, përkundër kësaj, Lutfiu është optimist se ekzekutivi kosovar do të insistojë në reciprocitet mes të drejtave të shqiptarëve që jetojnë në Serbi dhe serbëve që jetojnë në Kosovë – të cilët kanë pakrahasimisht të drejta më shumë se shqiptarët në Luginë.
“Jemi në koordinim të vazhdueshme me Qeverinë e Kosovës, dhe mbështesim parimin e reciprocitetit dhe ne besojmë fort se Qeveria nuk do të tërhiqet nga kjo kërkesë”, thekson ai.
Që të drejtat e shqiptarëve të mos shkelen dhe të ngritet sa më shumë zëri për diskriminimin sistematik që Serbia po ua bën, kreu i KKSH-së kërkon ndihmë nga Kosova dhe Shqipëria.
“Kosova tashmë ka ndarë një fond për Luginën, ne shpresojmë se kësaj iniciative do t’i bashkohet dhe Shqipëria”, potencon.
Më 19 qershor, Qeveria e Kosovës, në një nga mbledhjet e saj, ua kishte ndarë mbi 10 mijë euro përfaqësuesve të Luginës për një vizitë në Gjermani, ku kishin pasur takime të rëndësishme atje.
“Paraqitem fakte mbi diskriminimin e shqiptarëve të Luginës, diskriminim ky që i ka prekur kufijtë e racizmit!”, tregon Lutfiu për qëllimin e vizitës në Gjermani.
Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, shqiptarët janë pakica e katërt më e madhe në Serbi, përkatësisht në këtë shtet jetojnë 61 mijë e 687 shqiptarë.
Por, shqiptarët që jetojnë në Serbi, siç paraqitet pothuajse në të gjitha raportet prestigjioze ndërkombëtare, përbëjnë komunitetin më të shtypur në rajonin e Ballkanit Perëndimor, dhe jo vetëm.
Të gjithë liderët politikë atje kanë kërkuar njëzëri që çështja e tyre të bëhet pjesë e dialogut Kosovë-Serbi, por deri më tani, nga pushteti në Prishtinë nuk është parë një kërkesë e tillë.
Politikanët shqiptarë atje dënohen çdo vit nga Gjykatat serbe vetëm e vetëm pse ngrisin flamurin shqiptar në ndërtesat e komunave që banohen me shumicë shqiptare apo zyrat e Këshillit Kombëtar Shqiptar për 28 nëntor, ditën e pavarësisë së Shqipërisë.