Urimet e para për fitoren e presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan në balotazhin presidencial vijnë nga lideri i Katarit, i Hungarisë, i Somalisë dhe ai i Pakistanit.
“Vëllai im i dashur, ju përgëzoj për fitoren tuaj dhe ju uroj sukses në mandatin tuaj të ri, të arrini atë që populli vëlla turk aspiron në aspektin e përparimit dhe prosperitetit”, shkroi në Twitter Emiri i Katarit, Sheikh Tamim bin Al-Thani.
Kryeministri hungarez, Viktor Orban, po ashtu e përgëzoi presidentin Erdoğan për, siç shkroi ai në Twitter, “fitoren e tij të padiskutueshme në zgjedhje”.
Gjithashtu, edhe zyra e presidentit të Somalisë, Hassan Sheikh Mohamud, e uroi presidentin Erdoğan, duke shkruar në gjuhën turke, “Përgëzime Türkiye vëllazërore dhe miqësore”.
Ndërkaq, kryeministri pakistanez, Shehbaz Sharif, në mesazhin e tij të urimit e përshkroi presidentin Erdoğan si “një nga liderët e paktë botërorë, politika e të cilit është ankoruar në shërbimin publik”.
Mbi 64,1 milionë qytetarë turq patën mundësinë të shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votës, përfshirë mbi 1,92 milion qytetarë të cilët hodhën votën e tyre në qendrat e votimit jashtë vendit.
Gjithsej 191.885 kuti votimi u vendosën në qendrat e votimit në mbarë Türkiyen.
Më 14 maj, asnjë kandidat nuk arriti të sigurojë 50 për qind të votave në raundin e parë, megjithëse Erdoğan kryesoi me 49,52 për qind.