Lëvizja “Shqipëria Bëhet” dorëzoi në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve, këtë të enjte, mbi 20 mijë firma të qytetarëve për votën e Diasporës.
Në një deklaratë për shtyp, drejtuesi i kësaj force politike, Adriatik Lapaj, tha se tashmë mundësia që shqiptarët e diasporës janë më afër se kurrë për të votuar. Ai shtoi se parlamenti i republikës së Shqipërisë është i detyruar të marrë në shqyrim këtë projektligj dhe 21 mijë firmat janë provë se qytetarët duan hapjen e garës.
“Kjo është një dëshmi se qytetarët shqiptarë e dua ndryshimin, e duan hapjen e garës, duan që fëmijët, vëllezërit dhe motrat e tyre të votojnë. Këto janë të vetmet mundësi që shoqëria jonë të demokratizohet dhe të ecim para. Ky ka qenë një mision i vështirë në terren sepse procedurat që ka parashikuar Komisioni qendror i zgjedhjeve ka dashur dhe fotokopje të kartave të identitetit dhe plotësim të formularëve me të dhëna shumë sensitive, por gjithsesi ne ja dolëm. Ky është një moment shumë i rëndësishëm sepse tani përveç fjalëve po kalohet në vepra. Tashmë parlamenti i republikës së Shqipërisë është i detyruar të marrë në shqyrim këto 21 mijë firma dhe këtë projektligj të depozituar nga qytetarët si iniciativë ligjore qytetare” tha Lapaj.
Ai shtoi se të gjithë duhet të ndërgjegjësohemi dhe të bashkohemi për të krijuar një shtet sa me meritokratik
“Unë ftoj çdo qytetar që na dëgjon të bëhet aktiv të jetë i ndërgjegjshëm për nevojën që ka vendi për të drejtësi. Duhet ti largohet modelit të së shkuarës dhe të bashkohet me modelin që ka në themel të vet shtetndërtimin përmes ndërtimit të një kuadri ligjor të drejtë, meritokratik dhe në themel ka gjithmonë garën” tha Lapaj. /Telegrafi/