Lamtumira për Fatos Nanon: nderime shtetërore dhe vlerësime për kontributin historik në çlirimin e Kosovës dhe marrëveshjen e Ohrit

2 minutes, 42 seconds Read

Pallatin e Kongreseve në Tiranë u zhvilluan sot homazhet zyrtare dhe ceremonia shtetërore e lamtumirës për ish-kryeministrin dhe liderin historik të Partisë Socialiste, Fatos Nano, i cili u nda nga jeta më 31 tetor, në moshën 73-vjeçare, pas problemeve të rënda shëndetësore.

Në nderim të kontributit të tij të jashtëzakonshëm në politikën dhe jetën publike shqiptare, qindra qytetarë, përfaqësues të institucioneve shtetërore, personalitete nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, si dhe përfaqësues të trupit diplomatik, morën pjesë në homazhe për t’i dhënë lamtumirën e fundit një prej figurave më të rëndësishme të tranzicionit politik shqiptar.

Në një fjalë prekëse, bashkëshortja e tij, Xhoana Nano, shprehu dhimbjen për humbjen e njeriut me të cilin ndau mbi gjysmë shekulli jetë.
Ajo e përshkroi Fatos Nanon si njeri me zemër të madhe, të drejtë dhe të ndershëm, që besonte te paqja sociale, falja dhe konkurrenca politike si vlera thelbësore të demokracisë.

Ndërsa djali i tij, Sokol Nano, e kujtoi të atin si udhëheqës, vizionar dhe mentor jetësor, që ndikoi thellë në formimin e shumë brezave.

Fjalimi i Ramës: “Nano, lider i pathyeshëm që u ringrit nga padrejtësia”

Në fjalën e tij përkujtimore, kryeministri Edi Rama theksoi se burgosja e padrejtë e Fatos Nanos e ktheu atë në një figurë të pathyeshme dhe të pakonkurrueshme të së majtës shqiptare.
Rama kujtoi gjithashtu momentet e tensionuara të karrierës së tij, përfshirë akuzat si “tradhtar” pas takimit me Slobodan Millosheviqin në Selanik, të cilin Nano e kishte cilësuar si një përpjekje për paqe në rajon dhe afrimin e Kosovës me ndërkombëtarët.

Në ceremoninë shtetërore ishin të pranishëm edhe përfaqësues të opozitës, si Lulzim Basha, Agron Gjekmarkaj, Flamur Noka, Fatmir Mediu dhe Agron Duka, si dhe ish-presidentët Alfred Moisiu dhe Bamir Topi.
Nga Kosova mori pjesë kryeministri Albin Kurti, ndërsa nga Maqedonia e Veriut, Ali Ahmeti, duke vlerësuar rolin e Fatos Nanos në mbështetjen e çlirimit të Kosovës dhe marrëveshjes së Ohrit.

Në homazhe morën pjesë gjithashtu përfaqësues të komuniteteve fetare, akademikë, artistë, gazetarë dhe qytetarë të shumtë, të cilët nderuan me karafila të bardhë arkëmortin e liderit historik socialist.

Një lamtumirë simbolike përmes muzikës

Ceremonia përfundoi me këngën e preferuar të Nanos, “My Way” të Frank Sinatrës, ndërsa kortezhi funeral kaloi nëpër Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” përpara se trupi i tij të prehej në varrezat e Sharrës.

Në nder të figurës së tij, 2 nëntori është shpallur ditë zie kombëtare. Flamujt në të gjitha institucionet shtetërore u ulën në gjysmë shtizë, ndërsa në orën 12:00 u mbajt një minutë heshtje kombëtare.

Fatos Nano – pesë herë kryeministër i Shqipërisë – do të mbahet mend si lideri historik i së majtës, reformator, vizionar dhe kontribuues i rëndësishëm në proceset demokratike, integrimin europian dhe çështjen shqiptare në rajon.

/lajmishqip.net

Publikime te ngjashme