Kush është biznesmeni që i bëri presion live në emision, analistit Arjan Curri?!

4 minutes, 50 seconds Read

Analisti Arjan Curri, i ftuar këtë të hënë në “Top Story”, komentoi një nga çështjet më të rëndësishme që SPAK ka aktualisht në dorë, si hetimin për ish-zëvendëskryeministrin Arben Ahmetaj.

Në fund të emisionit, ai zbuloi se një biznesmen i kishte shkruar duke i kërkuar llogari se pse ia përmendi emrin, duke i bërë në këtë një formë presioni.

Por kush është biznesmeni që u shqetësua nga deklaratat e Currit. Të gjitha gjasat të cojnë te Sokol Meqemeja.

Curri tha në “Top Story” të Grida Dumës se në dijeninë e tij edhe Arben Ahmetaj nuk ndodhet në Angli, por në një shtet tjetër dhe se një prej biznesmenëve që akuzohet se i ka dhënë Ahmetajt 140 mijë euro përmes shitjes fiktive të një apartamenti me garazh, është Sokol Meqemeja. Një biznesmen ky jo i panjohur për publikun, për shkak të bëmave të tij, ndërsa Curri vuri në dukje se ka përfituar tendera edhe nga qeveria e Sali Berishës.

“Ahmetaj nuk është në Angli, këta biznesmenë kanë ikur të gjithë nga sytë këmbët. Kam një pikëpyetje, Ahmetaj ka qenë në shërbim të këtyre, apo këta biznesmenë kanë qenë në shërbim të Ahmetajt. Këta biznesmenë janë të njohur, Sokol Meqemeja përshembull ka marrë tendera dhe nga qeveria e Berishës”, tha Curri.

Arjan Curri shtoi më tej se Meqemeja, ndonëse ka emrin në SPAK, ka marrë nga qeveria dy fusha me vendburime gazi në Shqipëri.

“A është gjyq popullor që Sokol Meqemeja bashkë me bashkëshorten e tij përfiton koncesione nga gazi, te pulat? Nuk është gjyq popullor se këto janë fakte. Këto kanë dalë nga SPAK-u, në momentin që përmenden në SPAK ne kemi detyrë si media të hetojmë për ta”, deklaroi Curri.

Ndërsa gazetarja Anila Hoxha tha se SPAK ka hezituar për të zbuluar lidhjet e këtyre biznesmenëve me Ahmetajn.

Çfarë thuhet në dosjen e SPAK për Ahmetajn për biznesmenin Sokol Meqemeja:

Në dosjen 320 faqe të SPAK për Arben Ahmetajn, mes emrash politikanësh e biznesmenësh të ndryshëm, evidentohet veçmas nga Prokuroria e Posaçme një episod me protagonist biznesmenin Sokol Meqemeja, pronari i kompanisë “Frigo Food”, një prej bizneseve më të mëdha të mishit në vend.

Sokol Meqemeja akuzohet nga SPAK se i ka dhënë Arben Ahmetajt, përmes skemave të shitjeve fiktive të apartamenteve, 140 mijë euro. Prokuroria e Posaçme evidenton se kjo shumë ka shkuar për ish zv. kryeministrin si shpërblim për inceneratorin e Fierit, të cilin e kishte marrë përmes kompanisë Building Counstriction & Green Energy, ku ishte një prej krijuesve të saj.

Po si ia kaloi Meqemeja 140 mijë eurot Arben Ahmetajt? Skema është identike si në rastet e treguara edhe më parë, përmes personave të tretë.

“Sokol Meqemeja, i shoqërisë “Frigo Food Shpk” datë 05.05.2018, është miratuar dhënia e huasë për shtetasen Sonila Goxha në vlerën 140.000 Euro. Shtetësja Sonila Goxhaj rezulton të ketë dy fëmijë nga marrëdhënia që ka me shtetasin Sokol Meqemeja”, thuhet në dosjen e SPAK.

Pra, Sonila Goxhaj ka marrë gjoja një hua 140 mijë euro nga ‘Frigo Food’ kompania e Sokol Meqemeja dhe ka lidhur kontratën me ish gruan e Arben Ahmetajt Albina Mançka për të blerë apartamentin me sipërfaqe 178 m2 dhe një garazh 21 m2. Apartament i cili më parë i ishte shitur një tjetër personi me emrin, Besmir Prifti.

Sonila Goxhaj në dëshminë ka thënë se e ka blerë apartamentin për motrën e saj por që në sipas SPAK motra nuk e kishte parë asnjëherë apartamentin dhe nuk e ka përdorur asnjë herë.

“Por këtë hua ia ka borxh kësaj kompanisë shpk, e cila është në pronësinë e babait të fëmijëve te saj, i cili quhet Sokol Meqemeja. Pra huaja është miratuar nga babai i fëmijëve të saj, shtetasi Sokol Meqemeja….Aktualisht apartamenti është i ndërtuar në fazën përfundimtare por është në gjendje të rënduar për shkak se nuk është mirëmbajtur pasi Sonila nuk e disponon plotësisht”, thuhet në dosje.

E çuditshme sipas Prokurorisë së Posaçme është se Goxhaj nuk ka paguar prej 5 vitesh asnjë këst për ta kthyer huan prej 140 mijë eurosh por pasi është pyetur nga SPAK ka shkuar dhe ka paguar 4 milion lekë (të reja).

“Pasi shtetësja Sonila Goxhaj është thirrur për t’u pyetur në prokurori, konstatohet se në ditarin e bankës të shoqërisë “Frigo Food”, për vitin 2023, pasqyrohet një pagesë e bërë nga shtetasja Sonila Goxha për llogari të FrigoFood, periudha 01.04.2023-09.05.2023, ku rezulton nje transaksion bankar në vlerën 4,000,000 lekë, datë 08.05.2023, si kthim i huas.

Gjithsej shuma prej 270 000 euro e paguar nga shtetasi Besmir Prifti dhe Sonila Goxhaj, ekziston dyshimi se është përfitim i paligjshëm i marrë nga shtetasi Arben Ahmetaj, në formën e mitës, në kuadrin e ushtrimit të funksionit të tij si funksionar i lartë, Ministër i MZHETS dhe Ministër i Financave gjatë kohës së dhënies së procedurave të koncensionit të mësipërm. Këto para derivojnë pikërisht nga shoqëria Integrated Technology Services sh.p.k. dhe nga shtetasi Sokol Meqemeja pjesë e shoqërisë Building Construction & Green Energy sh.p.k”- thuhet në dosjen e SPAK.

Duke përmbledhur të gjithë skemën e shitjeve fiktive të apartamenteve SPAK del në përfundimin se vetëm përmes kësaj skeme në duart e Arben Ahmetajt shkuan mbi 440 mijë euro.

Publikime te ngjashme