Kurti tregon se për 2 vite të qeverisjes së tij shteti sekuestroi 14 milionë euro dhe kreu mbi 1 mijë operacion policore

1 minute, 47 seconds Read

Kryeministri, Albin Kurti ka thënë se në dy vite e gjysmë në qeverisje të tij, policia ka kryer mbi 1000 operacione kundër krimit të organizuar dhe kontrabandës.

Ai ka thënë se policia po ashtu gjatë kësaj periudhe ka arrestuar mbi 3800 persona për vepra të rënda penale, në mesin e cilëve mbi 300 zyrtarë publikë.

“Dy vjet e gjysmë qeverisje e sundimit të ligjit. Me mbi 1000 operacione kundër krimit të organizuar dhe kontrabandës, Policia e Kosovës ka arrestuar mbi 3800 persona për vepra të rënda penale, në mesin e cilëve mbi 300 zyrtarë publikë. Ajo sot ka 850 policë të rinj nga radhët e të gjitha komuniteteve që jetojnë në vend”.

Tutje, Kurti ka thënë se falë punës së institucioneve të sigurisë, janë lokalizuar dhe shkatërruar 16 laboratorë të drogës, prej tyre nëntë në veri të vendit.

Kryeministri me tej, tha se në dy vjet e gjysmë, në gjithë territorin e Republikës, janë konfiskuar 2.2 ton substanca narkotike.

“Mbi 14 milionë euro janë sekuestruar nën dyshimin e keqpërdorimeve dhe shpërlarjes së parave. Dogana e Kosovës ka konfiskuar mall me vlerë prej 30.6 milionë euro, kurse vlera e parandaluar nga ana e Doganës së Kosovës në fushën e ekonomisë joformale, është mbi 90 milionë euro. Në bashkëpunim me Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut janë mbyllur gjashtë, respektivisht dy rrugë ilegale, përgjatë kufinjve përkatës që ndajmë me këto dy shtete. Ndërkaq, në mënyrë të njëanshme, në pjesën veriore të Republikës deri më tani janë mbyllur 24 rrugë ilegale të cilat përdoreshin për kontrabandë, trafikim dhe kalim ilegal të kufirit nga struktura të krimit të organizuar”.

Me tej, ai ka shkruar se janë ngritur nëntë stacione të reja policore për mbikëqyrjen dhe kontrollin e kufirit.

“Deri në vitin 2021 nuk kishte asnjë të tillë. Janë shkatërruar gjashtë laboratorë për prodhimin e kriptovalutave. Vlera e narkotikëve dhe pajisjeve të laboratorëve të drogës arrin deri në 40 milionë euro. Ligjshmëri. Shërbim. Siguri”, ka shkruar Kurti.

Publikime te ngjashme