Kurti takon zyrtarin e lartë të DASH, Brendan Hanrahan: Diskutohen marrëdhëniet dypalëshe dhe dialogu me Serbinë

1 minute, 3 seconds Read

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim pune me zyrtarin e lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) për Çështje Evropiane, Brendan Hanrahan. Takimi u mbajt në formën e një darke pune në rezidencën e ambasadorit amerikan, e shtruar nga e ngarkuara me punë në Ambasadën e SHBA-së në Kosovë, Anu Prattipati.

Në takim, Kryeministri Kurti ishte i shoqëruar nga ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, dhe ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq.

Sipas komunikatës së Zyrës së Kryeministrit, Kurti i uroi mirëseardhjen z. Hanrahan, duke theksuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë një aleat i palëkundur për Kosovën, e cila do të mbetet gjithmonë një partnere e besueshme e tyre. Ai shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen kritike dhe të vazhdueshme të SHBA-së.

Biseda u përqendrua në marrëdhëniet dypalëshe, veçanërisht në fushat e investimeve, diplomacisë dhe mbrojtjes, si dhe në progresin e vendit drejt integrimit euro-atlantik. Kryeministri Kurti konfirmoi vullnetin dhe gatishmërinë e Qeverisë për thellimin e mëtejmë të raporteve dypalëshe. Po ashtu, pjesë e diskutimit ishin edhe zhvillimet aktuale politike në vend, bashkëpunimi rajonal dhe raportet me Serbinë, raporton lajmishqip.

Publikime te ngjashme