Njohësi i rrethanave politike, Burim Ramadani, ka reaguar ashpër rreth zhvillimeve për postin e Presidentit dhe takimeve të ndara që lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, zhvilloi me Bedri Hamzën e PDK-së dhe Lumir Abdixhikun e LDK-së.
Ramadani i ka kritikuar dy subjektet opozitare, duke vënë në pah se ato shfaqen të gatshme për pakt me Vetëvendosjen, por refuzojnë në mënyrë kategorike bashkëpunimin ndërmjet vete, njofton Express.
“Mbi çfarë baze ushqyet shpresën se Vetëvendosje do t’ju dhurojë postin e Presidentit?! Kjo mbetet krejtësisht e pakuptueshme për mua”, është shprehur ai në analizën e tij.
Ai ka ngritur dilemën se çfarë synuan këto parti kur u rreshtuan në zyrat e Kurtit, duke pyetur nëse vërtet pritnin që ai t’ua dorëzonte Presidencën pa asnjë shkëmbim politik.
Sipas Ramadanit, këto “parti jopushtetare” pretendojnë ta marrin këtë pozitë me votat e mazhorancës, derisa ende nuk kanë guximin të nxjerrin një kandidat të përbashkët, anipse mjetet për ta bërë këtë i kanë.
Mungesa e koordinimit mes tyre dëshmon se ato preferojnë më shumë akordin me VV-në sesa me njëra-tjetrën, gjë që i bën ato të shfaqen jokorrekte në këtë proces të rëndësishëm.
Opozita po i kërkon Vetëvendosjes të mos propozojë kandidat por t’i japë votat atyre, me paralajmërimin se në të kundërtën vendi do të shkojë sërish në zgjedhje.
Megjithatë, Kurti, i cili ndodhet në pozicion shumë më të favorshëm, po e përdor të njëjtin standard: ose votoni kandidatin e tij, ose do të përballemi me kutitë e votimit.
Ramadani e ka mbyllur reagimin me pyetjen retorike se pse opozita mendoi se një forcë si VV-ja do t’ua falte pozitën kryesore të shtetit.
Kjo qasje politike e partive opozitare mbetet totalisht e paqartë për njohësin e proceseve politike në vend./lajmishqip.net










