Kurti: Arsimi prioritet i qeverisë, 43 mijë studentë ndjekim studimet falas

2 minutes, 21 seconds Read

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se me qeverisjen e tij arsimi i lartë publik është bërë falas për të gjithë.

“Me qeverisjen tonë arsimi i lartë publik është bërë falas për të gjithë sepse arsimi është e drejtë e pakushtëzuar. Po bëhet ndërlidhja e arsimit me ekonominë sepse hendeku ndërmjet aftësive profesionale dhe kërkesave të tregut është thelluar për shumë vite me radhë. Buxheti për arsim është rritur sepse investimi në arsim, është investim me kthim të sigurt.”, ka thënë Kurti.

Tutje, ai tha se 43 mijë studentë ndjekin studimet e tyre në nivelin bachelor dhe master falas.

Duke filluar nga ky vit shkollor, arsimi dual është zgjeruar në 12 profile profesionale, nga vetëm katër sosh sa ishin në vitin pararendës, në gjithsej 21 shkolla profesionale dhe 13 komuna gjithandej vendit, bëri të ditur kryeministri Kurti.

“Arsimi dhe aftësimi profesional është njëri nga projektet më të mëdha të transformimit të ekonomisë sonë.”, tha ai.

Po ashtu, kreu i qeverisë njofton se jan ëndarë afër 4 mijë bursa për studime brenda dhe jashtë vendit, prej të cilave mbi 2,900 për fushat STEM, “duke i dhënë vëmendje të veçantë vajzave që studiojnë këto fusha.”

“Pjesëmarrja e vajzave në studime në fushat STEM në Universitetin e Prishtinë aktualisht është në masën 50%, ndërsa mesatarja e vendeve të BE-së është 17%. Në prill të këtij viti organizuam për herë të parë konferencën “STEMinist”, kushtuar rëndësisë së përfshirjes së vajzave dhe grave në fushat e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës, që tash e tutje do të jetë pjesë e kalendarit vjetor të Qeverisë. Përveç bursave në nivel të universitetit, ndamë edhe 500 bursa për nxënës të shkollave të mesme nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, si dhe 400 mijë euro për mbështetjen e 21 qendrave mësimore nga të cilat më së shumti përfitojnë pjesëtarët e komuniteteve jo shumicë.”, njoftoi shefi i ekzekutivit.

Ndërkaq për edukim të hershëm, Kurti tha se po ndërtohen dhe renovohen 31 çerdhe të reja.

Krahas rikthimit në ENQA si anëtare e asociuar, pas përjashtimit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim në vitin 2019, Kurti njofton për marrje të statusit të asociuar në programin “Horizon Europe” me të drejta të plota, program ky që e mundëson bashkëpunimin ndërkombëtar në fushën e kërkimit dhe inovacionit.

Gjithashtu, pas një dekade Kurti bën të ditur se është rifunksionalizuar Këshilli Kombëtar i Shkencës, që tashmë ka hartuar programin kombëtar të shkencës, i cili është dokumenti bazë për financimin e punës kërkimore shkencore në vend.

Publikime te ngjashme