Kreu i Wagner i revoltuar me ministrin rus të mbrojtjës: “qëllimisht po na zvogëlon sasinë e armëve dhe municionit”

1 minute, 50 seconds Read

Yevgeny Prigozhin, themelues i grupit mercenar rus Wagner, ka akuzuar ministrin rus të Mbrojtjes, Sergei Shoigu, që luftëtarëve të tij qëllimisht po ua zvogëlon sasinë e municionit.

Ky reagim vjen në kohën kur janë rritur tensionet mes Prigozhinit dhe pjesës tjerë të elitës ruse, shkruan Reuters.

Në një audio-incizim prej shtatë minutëshe që është publikuar dje, i nervozuar dhe plotë emocione Prigozhin tha se nga ai po kërkohet që të jetë “i dëgjueshëm” nëse dëshiron të sigurojë municion e armë për trupat e tij, transmeton Telegrafi.

“Nuk po mund ta zgjidhë këtë problem pavarësisht lidhjeve dhe kontakteve që i kam”, tha kreu i Wagnerit i cili gjatë audio-incizimit fliste me ton të lartë dhe vazhdimisht shante.

Ai është i bindur se prodhimi ushtarak rus është i mjaftueshëm për të furnizuar forcat që luftojnë në front, dhe se vështirësitë e furnizimit me të cilat përballen luftëtarët e tij janë rezultat i vendimeve të marra me qëllim.

“Ata që na pengojnë në përpjekjen për të fituar këtë luftë, janë absolutisht, drejtpërdrejt duke punuar për armikun”, tha ai.

Që nga shpërthimi i konfliktit, Prigozhin është grindur publikisht me gjeneralët dhe zyrtarët e Kremlinit, duke i akuzuar ata për zell të pamjaftueshëm në kryerjen e ‘fushatës ushtarake’ kundër Kievit.

Ai rezervoi kritikat e tij më të ashpra për Ministrinë ruse të Mbrojtjes, të cilën e akuzoi se po përpiqej të merrte meritat për arritjet e Wagnerit në fushëbetejë.

Në audio mesazhin e tij, shefi i Wagnerit pretendon se njerëzit e paspecifikuar që ai fajësoi për mungesën e municioneve “hëngrën mëngjes, drekë dhe darkë nga pjatat e arta” dhe dërguan të afërmit e tyre për pushime në Dubai, një destinacion popullor për elitën ruse.

Shtëpia e Bardhë javën e kaluar njoftoi se Wagner ka pësuar humbje të mëdha në luftën e Ukrainës, duke shkuar numri i të vrarëve në mbi 30 mijë./Telegrafi

Publikime te ngjashme