Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka publikuar rezultatet e përditësuara të votave për kandidatët për deputetë, ndërsa procesi i numërimit është drejt përfundimit.
Sipas të dhënave të fundit, deri më tani janë numëruar 90.41% e vendvotimeve, ose 2,290 nga 2,533 qendra të votimit.
Lajmin e ka bërë të ditur Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së, përmes një njoftimi zyrtar.
“Pas numërimit të votave të kandidatëve për deputetë dhe verifikimit të rezultateve të subjekteve politike nga formularët e rezultateve të plotësuar në vendvotime, në platformën elektronike rezultatet2025.net janë publikuar rezultatet për subjektet politike dhe kandidatët për deputetë”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.
Elezi sqaroi se votat e mbetura do të publikohen në mënyrë progresive, ndërsa ende nuk janë përfshirë votat me kusht, votat e personave me nevoja të veçanta dhe votat nga diaspora. Numërimi i këtyre votave do të kryhet në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve gjatë ditëve në vijim.