Kosova u del në përkrahje SHBA-së dhe Britanisë kundër rebelëve Houthi

1 minute, 37 seconds Read

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka dalë në mbështetje të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Britanisë së Madhe në luftimet ndaj grupit të armatosur Houth në Jemen.

Ministrja Donika Gërvalla ka publikuar të premten një deklaratë të MPJD-së duke thënë se “Republika e Kosovës mbështet plotësisht veprimet proporcionale ushtarake të partnerëve tanë ndërkombëtarë kundër grupimit të armatosur Huth, i cili përveç që po kërcënon stabilitetin në Lindje të Mesme përmes sulmeve kundër anijeve komerciale, po pengojnë seriozisht edhe qarkullimin e lirë të tregtisë dhe mallrave, gjë që rrjedhimisht po krijon pasoja negative për ekonominë dhe fushat e tjera”.

“Armiqtë e paqes, stabilitetit, sigurisë, demokracisë, rendit botëror dhe civilizimit janë armiq të të gjithëve. Vetëm së bashku mund të arrijmë që t’i mundim e të krijojmë një botë të qëndrueshme, e cila prioritet ka paqen, bashkëjetesën, tolerancën dhe përparimin në një botë, gjithnjë e më të globalizuar”, thuhet në deklaratë.

MPJD-ja ka thënë se veprimet ushtarake të SHBA-së në Lindjen e Mesme kanë synim të ruajnë rendin ndërkombëtar.

“Republika e Kosovës, si një vend thellësisht demokratik, rreshtohet qartë në krahë të partnerëve të saj strategjikë në përpjekjet e përbashkëta për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në botë”, përfundon deklarata e MPJD-së.

SHBA-ja dhe Britania e Madhe nisën bombardimet të enjten në mbrëmje ndaj caqeve të grupit rebel të Jemenit, Houthi. Sipas grupit, pesë anëtarë të tyre vdiqën nga sulmet, ndërsa kanë paralajmëruar se do të përgjigjen ashpër. Por SHBA-ja e kishte njoftuar Houthin para se ta bombardonte, duke vënë në pah synimin që nuk do konflikt të zgjeruar. Fuqitë perëndimore bombarduan Houthin pasi grupi rebel sulmonte anijet në Detin e Kuq që nga nëntori.

Publikime te ngjashme