Kosova e kanë nisur me fitore ciklin e ri kualifikues për Kupën e Botës 2027, duke mposhtur Irlandën me rezultatin 83:76.
“Dardanët” e nisën mirë ballafaqimin duke shënuar epërsi prej nëntë pikëve në gjashtë minutat e parë të ndeshjes, 12:3, ndërsa e ruajtën epërsinë deri në fund të 10-të minutëshit të parë, të cilën e mbyllën me rezultatin 22:17.
Loja e mirë e basketbollistëve të drejtuar nga Rami Hadar vazhdoi deri në mesin e çerekut të dytë.
Më pas, irlandezët me treshen e Taiwo Badmus, kaluan në epërsi 28:27, për herë të parë në këtë ballafaqim.
Kosova u kthye më pas fuqishëm dhe e ktheu epërsinë, ndërsa në pushim mes pjesëve shkoi me epërsinë e shtatë pikëve, 45:38.
Me rezultatin 20:19, Kosova në të mirë të vet e mbylli edhe periudhën e tretë.
Por çerekun i fundit ishte dramatik, pasi Irlanda i barazoi shifrat në 65:65, shtatë minuta para fundit të ndeshjes. Pastaj mysafirët ishin edhe në epërsi, prej 69:67.
Por deri në fundin e ballafaqimit, Kosova e ndihmuar edhe nga atmosfera e mirë e krijuar në palestër, ktheu epërsinë në të mirë të vet për të triumfuar në fund me shifrat 83:76.
Te Kosova më i miri ishte Drilon Hajrizi me 20 pikë, nëntë kërcime e tri asistime. Pas tij me 19 pikë ishte Dardan Berisha. Mikaile Tmusic kontribuoi me 11 pikë.
Jordan Blount te Irlanda i pati 27 pikë, 13 kërcime e dy asistime.
Ndeshjen e radhës Kosova e luan në Baku ndaj Azerbajxhanit më 25 shkurt. Kosova është në grup edhe me Zvicrën, përveç Irlandës dhe Azerbjaxhanit./Telegrafi