Inspektorati Policor i Kosovës sot ka suspenduar katër zyrtarë policorë, të cilët dyshohen se kanë qenë të përfshirë në incidentin e të hënës mbrëma te Ura e Bistricës afër Zveçanit, ku u plagos një banor i komunitetit serb.
Sinjali mëson ekskluzivisht se pjesëtarët e Policisë të cilët u suspenduan janë:
- Samet Uka
- Faton Maloku
- Muhamet Muçiqi
- Korab Pepaj
Kujtojmë se fillimisht, përfshirja në rast ishte mohuar nga Policia e Kosovës, por më pas, nëpërmjet një komunikate për media është bërë e ditur se pas hetimeve është konstatuar se një zyrtar policor mund të jetë përfshirë në rastin, ndërsa ka njoftuar për suspendimin e katër zyrtarëve.
Lidhur me rastin kanë reaguar edhe ndërkombëtarët.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, ka thënë se janë thellësisht të shqetësuar për incidentin, ka bërë thirrje që të kryhen hetime kredibile.
Po ashtu, edhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka dënuar incidentin.
Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – e ka kritikuar ambasadorin Hovenier, “që ka shprehur shqetësim, dhe nuk e ka dënuar tentim-vrasjen” ndaj pjesëtarit të komunitetit serb.
Sipas kësaj partie, kjo nuk është hera e parë që “sulmet ndaj serbëve relativizohen dhe përgjegjësia e kriminelëve minimizohet”.
Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, e ka dënuar më herët gjatë ditës, atë që e ka konsideruar sulm të kryer nga Policia e Kosovës.
“Ne po flasim për një burrë, i cili ka tre fëmijë, po flasim për një shofer taksie. Në atë pikë ilegale të kontrollit, Policia e Kosovës ndalon serbët çdo ditë dhe i ngacmon ata. Ne kemi thënë disa herë se ata nuk kanë të drejtë të qëndrojnë në veri të Kosovës, sepse është në kundërshtim me të gjitha marrëveshjet”.
Komunat në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – janë të banuara me shumicë serbe.
Javën e kaluar, një pjesëtari të komunitetit serb i është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji, i cili dyshohet se u ka vënë flakën veturave me targa RKS – Republika e Kosovës – në Zubin Potok, komunë me shumicë serbe në veri të Kosovës./GazetaSinjali