Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, ka bërë të ditur se vendi po marshon drejt zgjedhjes së presidentit të ri, duke insistuar se shkuarja në zgjedhje të parakohshme është një opsion i padëshirueshëm për stabilitetin e vendit.
Gjatë pjesëmarrjes në emisionin “Debat Plus”, ai paralajmëroi takime intensive mes kryeministrit Albin Kurti dhe krerëve opozitarë në ditët në vijim, me thirrjen që këta të fundit të reflektojnë për të mundësuar një marrëveshje politike.
“Skenari i zgjedhjeve duhet shmangur me çdo kusht. Jemi në prag të konsolidimit të presidencës së re dhe opozita e ka për detyrë të reflektojë që vendi të bëhet me kryetar shteti”, ka potencuar Bajqinovci.
Sipas tij, LVV-ja ka dëshmuar vullnet të plotë për të propozuar një figurë konsensuale, derisa ka adresuar kritika ndaj opozitës për mungesë konstruktiviteti, duke rikujtuar sfidat e procesit të kaluar për zgjedhjen e Vjosa Osmanit.
Ai vlerësoi se thirrjet e vazhdueshme të opozitës për zgjedhje të reja nuk përbëjnë zgjidhje reale, duke paralajmëruar se një proces i tillë elektoral mund t’i godasë subjektet opozitare edhe më rëndë se herën e kaluar.
“E dëgjojmë shpesh opozitën duke thënë se nuk kanë çfarë të humbin, por siç thotë populli, ‘keqja nuk ka skej’, andaj ata duhet ta kuptojnë se rezultati mund të jetë edhe më i rëndë se i fundit”, përfundoi ai./lajmishqip.net
