Kryeshefi ekzekutiv i Korporatës Energjetike të Kosovës, Gramos Hashani ka siguruar qytetarët e Kosovës se nuk do të ketë ndërprerje të energjisë eklektike, duke theksuar se nuk merren me deklaratat e KESCO-së.
Ai në një konferencë për media ka folur lidhur me gjendjen aktuale të njësive prodhuese të kësaj korporate, ku tha se janë të pavërteta deklaratat se nesër nuk do të prodhojnë asnjë megavat.
“Nuk do të ketë ndërprerje të energjisë elektrike, ta keni të qartë…Ne sot në mëngjes i kemi deklaruar kapacitet e prodhimit për nesër. Ka pas një pasiguri nga ekipi i termocentralit Kosova A, për të deklaruar atë kapacitet për nesër. Kjo është keqkuptuar dhe është dhënë deklarata të ndryshme që ne nuk merremi me to, që KEK-u për herë të parë pas 25 viteve nuk prodhon asnjë megavat brenda ditës, kjo nuk është e vërtetë. Ne jemi angazhuar në maksimum dhe kemi bërë atë korrigjim të kapaciteteve që njësia A3 do të prodhojë edhe nesër. Ne nuk merremi me deklarata të KESCO-së, ne kemi komunikim të vazhdueshëm me ta se e kemi partner strategjik, ne do të prodhojmë energji elektrike nesër, nuk importohet energjia elektrike nesër 100 përqind”, tha ai.
Hashani tha se korrigjimi i njoftimit është bërë dhe se e kanë njoftuar KESCO-në se nesër do të prodhojnë 110 nga njësia A3.
Ai është pyetur edhe për deklaratat e ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, duke e mohuar se e njëjta ka ushtruar presion derisa ka thënë se duhet merren masa nëse vërtetohet se kishte neglizhencë.
Sipas tij, sot KEK ka mbuluar 75 përqind e konsumit, derisa tha se nesër tha se konsumi është më i vogël sepse është vikend.
Hashani ka folur edhe për investimet që po bëhen në KEK, derisa ka përmendur edhe infrastrukturën e vjetërsuar në këtë ndërmarrje.
Kompania KESCO sot gjatë ditës ka njoftuar se është informuar për një mungesë të theksuar të prodhimit vendor të energjisë elektrike që pritet të ndodhë nesër dhe në ditët në vijim.
Sipas njoftimit të KESCO, “në rastin më ekstrem, kjo do të nënkuptojë që e gjithë sasia e energjisë elektrike për konsumatorët në Kosovë do të duhet të mbulohet përmes importit”.