Izraeli ka paralajmëruar se do të nisë sulme të ashpra ndaj Hezbollahut, pas sulmit raketor të këtij grupi në Lartësitë e Golanit, ku 12 fëmijë mbetën të vrarë, teksa luanin në një fushë futbolli.
Zona e Golanit, e aneksuar nga Izraeli prej kohësh, u vizitua nga vetë kryeministri Benjamin Netanjahu, ndërsa kabineti i sigurisë ka autorizuar këtë të fundit dhe ministrin e tij të Mbrojtjes që të vendosin se kur dhe si të hakmerren ndaj grupit libanez.
Pas kërcënimeve të Izraelit për një përgjigje të ashpër, Hezbollahu ka evakuuar banorët në disa zona të Libanit, ndërsa diplomacia ndërkombëtare përpiqet të frenojë etjen izraelite për hakmarrje.
“Kam folur me ministrat e Izraelit, Israel Katz dhe Libanit, Bou Habib për të shmangur një luftë të re. Ndërprerja e spirales së dhunës është e mundur. Qeveria është e përkushtuar për paqen dhe stabilitetin, edhe nëpërmjet kontingjentit italian Unifil për të cilin kërkova mbrojtje. Respekt për rezolutën 1701 të OKB-së është vendimtare”, shprehet zv.kryeministri italian Antonio Tajani.
“Fola sot me kryeministrin libanez Najib Mikati për të shprehur shqetësimin tim për përshkallëzimin e tensionit dhe përshëndeta deklaratën e qeverisë libaneze që bën thirrje për ndërprerjen e çdo dhune”, thekson ministri i Jashtëm britanik David Lammy.