Izraeli miraton 19 vendbanime të reja në Bregun Perëndimor: kritikë për “goditje” ndaj shtetësisë palestineze

1 minute, 26 seconds Read
Banner Description

Kabineti i Izraelit ka miratuar një propozim për 19 vendbanime të reja hebraike në Bregun Perëndimor të pushtuar, një vendim që pritet të rrisë më tej tensionet dhe të ndezë debatet ndërkombëtare për të ardhmen e zgjidhjes me dy shtete. Vendimi u bë publik nga ministri i Financave, Betzalel Smotrich, një nga figurat kryesore të krahut të djathtë në qeveri, i cili prej kohësh shtyn një agjendë të zgjerimit të vendbanimeve.

Sipas AP, dy prej këtyre vendbanimeve kanë qenë më parë të evakuuara gjatë planit të shkëputjes së vitit 2005. Peace Now – një organizatë izraelite kundër vendbanimeve – thotë se vendimi përfshin legalizim retroaktiv të disa “outpost”-eve ose lagjeve të vendbanimeve ekzistuese dhe krijimin e vendbanimeve në tokë prej nga palestinezët ishin evakuuar.

Po sipas Peace Now, numri i vendbanimeve në Bregun Perëndimor është rritur ndjeshëm: nga 141 sa ishin në vitin 2022, pas vendimit të fundit shifra arrin në 210 – një rritje që, sipas raportimit, e çon përqindjen e zgjerimit në afërsisht 50% gjatë mandatit të qeverisë aktuale. AP kujton se vendbanimet konsiderohen gjerësisht të paligjshme sipas së drejtës ndërkombëtare, ndërsa Izraeli e kundërshton këtë interpretim.

Vendimi vjen në një moment kur SHBA po shtyn përpara faza të reja të një armëpushimi në Gaza dhe ka përmendur një “rrugë” drejt shtetësisë palestineze – diçka që, sipas kritikëve, zgjerimi i vendbanimeve e bën edhe më të vështirë. Në të njëjtën kohë, AP raporton edhe për shtim të sulmeve të kolonëve ndaj palestinezëve në muajt e fundit, duke e përkeqësuar situatën e sigurisë në terren./lajmishqip.net

Publikime te ngjashme