Ivanka Trump viziton “Shtëpinë me Gjethe”, i pranishëm edhe kryeministri, Edi Rama

1 minute, 35 seconds Read

Muzeu “Shtëpia me Gjethe” ka pasur të mërkurën disa vizitorë të veçantë. Ai është vizituar nga Ivanka Trump, vajza e ish-presidentit Donald Trump, bashkëshorti i saj, Jared Kushner, në praninë e të cilëve ka qenë edhe kryeministri, Edi Rama.

Lajmi është bërë i ditur nga vetë Muzeu në faqen e tij sociale facebook, lajm i cili shoqërohet edhe me fotot përkatëse. Vizita në muzeun “Shtëpia me Gjethe”, ishte pjesë e një sërë ndalesash që Ivanka Trump bëri në vendin këto ditët e fundit, kryesisht në jug të vendit.

Në fund të kësaj vizite në Muze, Ivanka Trump u shpreh në formën e një urimi për të gjithë turin e zhvilluar prej saj këto ditë në Shqipëri duke e përmbledhur: “Faleminderit. Gjithë të mirat për të dy vendet tona Amerika & Shqipëria”.

Ndërsa Kushner, bashkëshorti i vajzës së ish- presidentit Trump, ka lënë një shënim më të detajuar në librin e përshtypjeve të Muzeut, ku ka vlerësuar transformimin e jashtëzakonshëm të Shqipërisë, si dhe duke uruar që tmerret që pasyrohen në këtë muze, ku evidentohen praktikat e ish- Sigurimit famëkeq të Shtetit, “të mos përsëriten më”.

“Ju falënderoj për mikpritjen kaq dashamirëse dhe që ndatë me ne historinë e shtypjes së Shqipërisë për ta kuptuar më mirë transformimin e jashtëzakonshëm, dëshmitarë të të cilit jemi ne sot. Le të mësojë dhe populli im nga ky muze që këto tmerre të mos përsëriten më!”.”- ka shkruar Kushner.

Në fund të vizitës, kryeministri Rama, si dhe të pranishmit, ku bie në sy edhe ish- i dërguari special për Kosovën, Richard Grenell, kanë bërë një foto familjare.

Publikime te ngjashme