Iu përgjigj Vuҫiqit ‘dhëmbë për dhëmbë’, opozita kritikoi Kurtin; analistët: Po e përdorin për fushatë elektorale

7 minutes, 12 seconds Read

Para pak ditësh, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit në OKB, i është përgjigjur Serbisë rreth ҫështjes se dinarit, për të cilën po diskutohet tash e sa kohë.

Mirëpo, Kurti nuk ndaloi vetëm tek dinari, iu kundërpërgjigj presidentit serb, Aleksandër Vuҫiq për secilën akuzë që ky i fundit bëri në drejtim të Kosovës.

Kryeministri Kurti foli edhe për Banjskën e tjera kërcënime që Serbia i bën thuajse ҫdo ditë.

Fjalimi i kryeministrit Albin Kurti në OKB

“Mjerisht, edhe 25 vjet pas luftës, Serbia vazhdon në përpjekjet e saj për të rimarrë Kosovën me dhunë. Një shembull i qartë i kësaj ndodhi më 24 shtator të vitit të kaluar. Rreth 80 trupa paraushtarake, të organizuara dhe të mbështetura nga Serbia, filluan një sulm të paprovokuar ndaj një patrulle të Policisë së Kosovës, me pasojë vdekjen e një rreshteri të policisë, Afrim Bunjaku, dhe plagosjen e dy të tjerëve. Përkundër përpjekjes së terroristëve për të përdorur pelegrinët e pafajshëm serbë si mburojë njerëzore në një manastir që synonte të shfrytëzonte çdo viktimë eventuale për propagandë kundër Kosovës, profesionalizmi i forcës sonë policore shmangu viktimat civile. Më pas, më 27 shtator, Serbia shpalli tre ditë zie, zyrtare, për terroristët e vrarë në operacionin anti-terror të Policisë së Kosovës. Dhe e keni vënë re sot, se z.Vuçiq po kujtonte disa serbë të plagosur apo të lënduar në incidente të ndryshme, por ai nuk përmendi tre serbët e vrarë. Pse nuk i përmendi? Sepse ai e di që ata ishin terroristë të financuar, mbështetur, orkestruar prej tij. Prandaj tre serbët e vrarë nuk u përmendën fare”, ka thënë Kurti në fjalimin e tij.

Poashtu, Kurti i dha edhe një përgjigje për dinarin, duke thënë se Vuҫiq e ka hallin se po ia ndalojmë thasët e mëdhenj me para në kufi.

“Dhe ky, të nderuar anëtarë të Këshillit të Sigurimit, është burimi i vërtetë i histerisë së Beogradit mbi rregulloren e Bankës Qendrore. Beogradi ka dhënë alarmin jo për shkak të këmbimit të dinarit në euro, por sepse po ndalojmë thasët e mëdhenj me para në kufi. Ata ankohen keq, jo nga shqetësimi për gjendjen e rëndë të qytetarëve serbë të Kosovës, por sepse kanali i tyre më i përshtatshëm për para të paligjshme në veri të Kosovës është gati duke u mbyllur. Kjo mbledhje, dhe propaganda e vreri që i ka paraprirë, nuk është gjë tjetër veçse pjesë e një fushate të pamëshirshme të një regjimi autoritar”, ka theksuar Kurti.

Pas këtij fjalimi të kryeministrit Kurti, opozita ka reaguar ashpër duke thënë se “Qeveria Kurti i bëri bashkë SHBA-në, Rusinë e Kinën kundër Kosovës”.

Edhe kësaj radhe opozita nuk tregoi unitet me qeverinë në këtë “betejë’ me Serbinë. A po tenton opozita të fitojë poena politik në situatën e krijuar pas vendimit për dinarin?

Tahiraj: Gjërat me interes shtetëror po keqpërdorën nga të dyja palët për përfitime elektorale dhe po dëmtojnë interesin shtetëror

Lidhur me këtë ҫështje, ka folur njohësi i ҫështjeve politike, Saim Tahiraj.

Image

Saim Tahiraj.

Ai thotë se, pozita dhe opozita, gjërat e rëndësishme shtetërore po i keqpërdorin për përfitime elektorale.

“Po t’i shikosh veprimet e qeverisë; të ngutshme, arrogante, të pakoordinuara me miqtë tanë që na ndihmuan të fitojmë lirinë, pavarësinë dhe ndërtimin e shtetit, vendime dhe veprime populiste, akuza ndaj opozitës. Pastaj veprimet e opozitës me tubime me qytetarët, me akuza të zmadhuara, herë- herë të pabazuara ndaj pozitës, fiton përshtypjen se jemi në një fushat të egër elektorale. E keqja e gjithë kësaj është, se gjërat me interes shtetëror po keqpërdoren nga të dyja palët për përfitime elektorale dhe po dëmtojnë interesin shtetëror”, vlerëson ai.

Sipas tij, kjo u shpërfaq, fatkeqësisht edhe në rastin e fundit, pas mbledhjes së Këshillit të Sigurimit në OKB.

“Veprimet e Qeverisë së Kosovës dhe BQK-së, u vlerësuan si të ngutshme dhe të pakoordinuar me miqtë tanë ndërkombëtar, andaj reguan dhe ja tërheqën vërejtjen, disa herë Qeverisë së Kosovës. Si duket Qeveria e Kosovës nuk mori mësim nga kritikat e mëparshme dhe sanksionet që ia vendosi Bashkimi Evropian dhe SHBA, Kosovës. Ajo në krye me kryeministrin Kurti veproi me arrogancë pa i përfillur fare këto vërejtje dashamirëse të miqëve tanë. Veprimet e kryeministrit Kurti janë populliste, thjeshtë për përfitime elektorale. Kritikat e opozitës, të ekzagjeruara, jo reale, gjithashtu janë për përfitime elektorake. Ta akuzosh kryeministrin Kurti se me veprimet e tij po i bashkon SHBA me Kinën dhe Rusinë, kundër Kosovës, është jo reale, e pandershme dhe tendencioze”, thekson ai.

Sipas analistit Tahiraj, edhe sikur të ketë përpjekje të tilla, Kosova, as kryeministri Kurti nuk e kanë atë fuqi t’i bashkojnë kundërshtarët strategjik të cilët realisht ndodhen në luftë në mes veti.

“Lufta e ashpër në Ukrainë, e cila realisht është luftë në mes të NATO-s, më në krye SHBA dhe Rusinë, e demanton fuqishëm këtë deklaratë jo serioze të opozitës. Këto deklerata jo serioze të opozitës nuk ia shtojnë përkrahjen e elektoratit kosovar, përkundrazi tregojnë se janë një opozitë e lodhtë, pa strategji dhe larg marrjes së pushtetit. Ka shumë e shumë gabime tjera të Qeverisë së Kosovës që opozita duhet t’i kritikoj dhe publikoj para elektoratit kosovar. Kjo logjikë e të vepruarit në dëm të interesit shtetëror, si të pozitës dhe opozitës, duhet të përfundoj sa më parë. Kur është interesi shtetërorë duhet të jemi bashkë të gjithë, t’i lëmë anash luftërat e ashpëra politike për pushtet sepse shteti është mbi të gjitha”, vlerëson ai.

Burjani: Me kërkesën e Serbisë është mbajt KS i OKB për një temë të pa kompetencë të OKB

Po ashtu, lidhur me këtë reagim të opozitës, ka folur edhe njohësi i ҫështjeve juridike, Blerim Burjani.

Ai thotë se, tashmë është bërë shprehi që opozita të reagoj në secilin veprim të kryeministrit Kurti.

Profesor Burjani u tregua kritik ndaj kryeministrit Kurti, duke thënë se bëri hapa të njëanshëm pa u konsultuar me aleatët.

Image

Blerim Burjani.

“Po tash është bërë shprehi që opozita të reagoj ndaj ҫdo veprimi të Kurtit. Deri më tash ai ka bërë disa hapa të njëanshëm pa u konsultuar dhe informuar me aleatët, ҫështja e targave, mbyllja e zyreve paralele serbe në Kosovë, ndalimi i dinarit si mjet i pagesave të gatshme, vërejtjet janë shtuar, por po ashtu edhe komentet negative ndaj Kosovës. Normal se Këshilli i Sigurimit deri më tash nuk ka mbajtur takim të hapur dhe se raportimet janë rralluar shumë vetëm dy herë në vit për shkak të mosinteresimit, tash me kërkesën e Serbisë është mbajt KS i OKB për një temë të pa kompetencë të OKB, ҫështje valute, normal që nuk është dashur të ndodh që Kosova të del në KS, por veprimet e Kurtit janë të qarta dhe nuk ka kthim prapa”, vlerëson Burjani.

Sa i përket opozitës, profesor Burjani thotë se do të ishte pozitive që për ҫështje të interesit shtetëror së paku të ketë koordinim dhe bashkëpunim dhe konsensus.

“Kjo do të ishte e dobishme për shtetin. Sidoqoftë tash është bërë praktikë që Kurti të veproj bazuar në pavarësinë e plotë të Kosovës, pra koordinimi jo rrallë është kuptuar se Kosova ende ka limite në vendimmarrje, kjo po sjelll diҫka të re, se Kurti do të veproj në bazë kushtetutës së shtetit gjithmonë duke respektuar barazinë qytetare, për të gjithë njëjtë dhe pa diskutim, opozita është simbolike dhe pandonjë rëndësi domëthënëse në vendimmarrje”, vlerëson Burjani.

Publikime te ngjashme