Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka bërë thirrje që Prokuroria Speciale të pranojë propozimin e kabinetit të kryeministrit Albin Kurti, që ky i fundit të intervistohet në zyrën e tij lidhur me rezervat shtetërore.
Në një konferencë për media të mbajtur së bashku me ministrin e Kulturës, Hajrullah Çeku, Haxhiu sqaroi se kryeministri nuk ka refuzuar kërkesën për intervistim, por ka propozuar disa data për realizimin e saj në përputhje me agjendën e tij.
“Kabineti i kryeministrit ka ofruar tri data për intervistimin, dhe tani kanë mbetur dy data të mundshme. Prokuroria nuk ka arsye të refuzojë kërkesën e kryeministrit Kurti për ta intervistuar në zyre siç ka kërkuar kryeministri. Kjo nuk është hera e parë që kjo ndodh, ka ndodhur edhe në të kaluarën por nuk duam të flasim,” tha Haxhiu.
Ministrja gjithashtu shprehu shqetësim për rrjedhjen e informacioneve nga Prokuroria Speciale në raste që lidhen me qeverinë, duke e cilësuar këtë veprim si një përpjekje për të dëmtuar punën e qeverisë dhe për të minuar besimin ndaj Lëvizjes Vetëvendosje.
“Prokuroria Speciale duhet të tregojë gatishmëri për të përmbushur kërkesat e kabinetit të kryeministrit dhe për të vepruar në mënyrë transparente dhe profesionale. Kjo nuk duhet të shërbejë si një pengesë për të zbardhur rastin në fjalë,” përfundoi ajo.