Ministri i jashtëm hungarez reagoi me shpërfillje të martën ndaj vendimit të përfaqësuesit të lartë evropian për ta ndryshuar vendin e takimit të ministrave të jashtëm të Bashkimit Evropian nga Budapesti në Bruksel, në shenjë proteste ndaj sjelljes së Hungarisë në fillim të kryesimit të presidencës së BE-së.
“Për mua është njësoj,” deklaroi ministri hungarez Peter Szijjarto përmes një deklarate.
Përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikën e jashtme, Josep Borrell e ndryshoi vendin e takimit, pasi kryeministri hungarez, Viktor Orban filloi një mision paqeje për Ukrainën me iniciativën e vet, duke mbajtur takime me presidentin rus, Vladimir Putin dhe kandidatin republikan për president, Donald Trump.
Orban, nacionalist qëndrimet e të cilit bien shpesh ndesh me politikat e përgjithshme të BE-së, e ndërmori këtë veprim pa u bashkërenduar me udhëheqësit tjerë të BE-së apo me Ukrainën, vetëm disa ditë pasi Hungaria mori presidencën e radhës më 1 korrik, raporton bbc.
“Duhet të dërgojmë një sinjal, qoftë edhe simbolik”, u tha Borrell gazetarëve në Bruksel të hënën, pas takimit të fundit të ministrave të jashtëm të BE-së para fillimit të pushimeve verore.
Borrell tha se shtetet anëtare të BE-së nuk arritën të gjenin një konsensus për zhvillimin e takimit të ministrave në Budapest, të planifikuar për më 28-29 gusht, si dhe për atë të ministrave të mbrojtjes që do të pasonte.
Ai tha se vendosi ta ndryshojë vendin e takimit nga Budapesti në Bruksel meqë shumica e vendeve dëshironin t’i dërgonin një mesazh Hungarisë për shkak të kontakteve të Orbanit me Rusinë, e cila është objekt i sanksioneve të BE-së për shkak të agresionit ndaj Ukrainës./Telegrafi