Goditje e re për xhepat e qytetarëve: pse u shtrenjtua uji deri në 40% dhe çfarë pritet të ndodhë

1 minute, 42 seconds Read

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka prezantuar zyrtarisht strukturën e re tarifore për periudhën 2026-2028, rregulla këto që nisin zbatimin menjëherë gjatë këtij muaji.

Ndryshimet janë të ndjeshme për të gjitha kategoritë. Për konsumatorët shtëpiakë, çmimi për metër kub ujë është rritur nga 45 në 63 centë, që shënon një shtrenjtim prej rreth 40%. Po ashtu, tarifa për shërbimin e ujërave të zeza ka pësuar rritje, duke kaluar nga 8 në 12 centë. Konsumatorët komercialë do të paguajnë tashmë 82 centë për metër kub (nga 62 centë sa ishte), ndërsa kostoja për ujërat e zeza për këtë kategori është rritur nga 17 në 28 centë.

Autoriteti Rregullativ i Shërbimeve të Ujit (ARRU) ka sqaruar se ky vendim erdhi si pasojë direkte e shtrenjtimit të energjisë elektrike dhe rritjes së konsumit mesatar shtëpiak dhe joshtëpiak, i cili ka shënuar një rritje prej 34%.

“Fatura mesatare për një familje që konsumon rreth 10 m³ ujë në muaj do të rritet nga 6.07 euro (sa ishte në vitin 2025) në 8.17 euro në vitin 2026, pa llogaritur TVSH-në. Kjo përfaqëson një ngarkesë shtesë prej 2.10 eurosh ose 34.6% më shumë”, deklaroi Refik Ramaj, Drejtor i Departamentit të Tarifave në ARRU.

Përveç Prishtinës, risi ka edhe në zonën e shërbimit të “Hidrodrinit”, ku për herë të parë po aplikohet parimi ekologjik “Ndotësi paguan”. Sipas këtij modeli, bizneset që konsiderohen ndotës të mëdhenj do të tarifohen më lart për shkarkimin e ujërave të zeza, duke mundësuar kështu një zbritje proporcionale për familjet.

“Qëllimi është që të ngarkohet më shumë ai që ndot më shumë, duke mos rritur arkëtimin total të ofruesit të shërbimit, por duke bërë një shpërndarje më të drejtë të kostos. Gjithashtu, bizneset që shkarkojnë ujëra të ndotura pa pasur ujëmatës do të faturohen me tarifa të veçanta vlerësimi”, sqaroi tutje Ramaj./lajmishqip.net

Publikime te ngjashme