Goditje e re për xhepat e qytetarëve: ASK zbulon shifrat alarmante të shtrenjtimit të jetesës

2 minutes, 0 seconds Read

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka prezantuar raportin e fundit mbi Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit për muajin mars 2026. Të dhënat zyrtare pasqyrojnë një rritje të ndjeshme të kostos së jetesës, duke konfirmuar një tendencë shqetësuese për ekonomitë familjare në vend.

Sipas publikimit të ASK-së, shkalla vjetore e inflacionit në mars 2026 arriti në 6,7%, ndërsa vetëm brenda një muaji çmimet u rritën mesatarisht me 1,5%. Ky shtrenjtim do të thotë se qytetarët po paguajnë shumë më shtrenjtë për të njëjtat produkte dhe shërbime në krahasim me marsin e vitit të kaluar.

e designplus-ks.com
Smart Watches
Buy Now
Headphones
Buy Now

Detajet e raportit specifikojnë se rritja vjetore prej 6,7% është nxitur kryesisht nga shtrenjtimi i shërbimeve të transportit me 42,5% dhe biletave të fluturimit me 38,4%. Po ashtu, një rritje të lartë prej 31,9% kanë pësuar shërbimet e ujit dhe ato që lidhen me vendbanimin, ndjekur nga energjia elektrike dhe karburantet me nga 17,4% secila.

Lëndët djegëse si druri dhe peleti u shtrenjtuan me 15,6%, ndërsa pushimet e organizuara patën një rritje prej 13,2%. Konsumatorët po përballen gjithashtu me çmime më të larta në shportën ushqimore: pemët u rritën me 13,1%, mishi me 12,4%, kurse kafja, çaji dhe kakaoja me 7,8%. Shërbimet hoteliere dhe produktet ushqimore në tërësi shënuan rritje mbi 6%.

Në listën e shtrenjtimeve përfshihen edhe sheqeri e ëmbëlsirat me 5,7%, shërbimet mjekësore me 5,6% dhe produktet e kujdesit personal me 5,2%. Edhe artikujt bazë si perimet (4,9%), buka, drithërat dhe duhani (4,1%) pësuan rritje. Ndikim në këtë inflacion patën edhe pijet alkoolike, mobiliet dhe mjetet e punës, me rritje që variojnë nga 2,3% deri në 3,9%.

Sa i përket ndryshimit mujor, marsi i vitit 2026 shënoi një rritje prej 1,5% krahasuar me shkurtin. Ky impuls erdhi kryesisht nga fluturimi i çmimeve të karburanteve për transport personal me 25,8%, rritja e perimeve me 3,7%, pemëve me 1,5% dhe mishit me 0,3%. Këto kategori patën një ndikim të përbashkët prej 1,7% në indeksin e përgjithshëm.

Përkundër kësaj vale shtrenjtimesh, ASK vëren edhe disa rënie të lehta. Çmimi i energjisë elektrike u ul me -3,7%, ndërsa lëndët djegëse të ngurta si druri e peleti shënuan një rënie prej -2,2% krahasuar me muajin paraprak, duke amortizuar disi rritjen totale të indeksit mujor./lajmishqip.net

Publikime te ngjashme