Forcat ukrainase kanë ndërmarrë një kundërsulm të fuqishëm në afërsi të Lymanit në rajonin e Donetskut, duke shkatërruar atë që cilësohet si një regjiment i plotë rus – njësi kjo që në letër numëron rreth 2,000 trupa – dhe duke përmirësuar ndjeshëm pozicionet e tyre, njoftoi Korpusi i Tretë i Ushtrisë së Ukrainës.

Ky operacion u realizua përmes bashkëpunimit të Korpusit të Tretë të Ushtrisë dhe njësive të inteligjencës ushtarake (HUR), në kohën kur Rusia po intensifikon përpjekjet për të pushtuar territore të reja në rajonin e Donetskut.

“Si rezultat i veprimeve të koordinuara mirë, vija e frontit është stabilizuar dhe pozicioni taktik i forcave tona në këtë zonë është përmirësuar dukshëm”, deklaroi njësia përmes një njoftimi në Facebook, raporton lajmishqip.net.

Aksioni i suksesshëm i forcave ukrainase në këtë sektor strategjik ka kufizuar seriozisht aftësinë e forcave ruse për të manovruar në zonat e pyllëzuara, vlerësoi Korpusi i Tretë.

Gjithashtu, njësia bëri të ditur se një numër i konsiderueshëm i ushtarëve të këmbësorisë ruse ranë në prangat e forcave ukrainase, duke u zënë robër lufte gjatë këtij operacioni.

Lymani, një qytet në veri të Donetskut që para luftës numëronte rreth 20,000 banorë, mbetet një nga pikat më të nxehta të frontit, me luftime të ashpra që zhvillohen vazhdimisht në pyjet e Serebianskyit.

Ushtria e Ukrainës arriti ta çlironte këtë qytet më 1 tetor 2022, duke i dhënë fund pushtimit rus që kishte filluar që nga mesi i majit të atij viti.

Rikthimi i kontrollit mbi Lyman pasoi kundërsulmin e famshëm në rajonin e Kharkiv-it, duke shënuar një fitore të madhe si në aspektin operacional, ashtu edhe në atë simbolik për Kievin./lajmishqip.net