Gjykatësi i tërheq vërejtjen Gjergj Dedajt

10 minutes, 52 seconds Read

Në dëshminë e tij në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, Gjergj Dedaj ka thënë se institucionet e atëhershme të Kosovës nuk i kanë ofruar bashkëpunimin e duhur Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kjo deklaratë e Dedajt erdhi pasi avokati mbrojtës i Hashim Thaçit, Luka Misetiq e pyeti dëshmitarin se më 24 shtator 1998 a funksiononte UÇK-ja në kuadër të institucioneve ligjore të Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Mendoj se institucionet e Kosovës në Prishtinë, ishin ato të cilat ishin përcaktu për zgjedhjen paqësore të çështjes së Kosovës. Nuk i kanë ofru bashkëpunimin e duhur UÇK-së që ajo të jetë në kuadër të institucioneve të Republikës së atëhershme të Kosovës”, tha Dedaj.

Sipas tij, disa zyrtarë të partive politike kanë bërë deklarata të dëmshme dhe etiketuese për UÇK-në.

“Kanë bërë deklarata tepër të dëmshme, etiketuese për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Sa për sqarimin tuaj, në UÇK ka pasur anëtarë të të gjitha partive, ka pas edhe të partisë liberale që kanë qenë komandant dhe që janë vra për UÇK-në. Tani po flasim se ka pas individë dhe zyrtarë në parti të ndryshme, me shumë ka pas në LDK se partia ka qenë më e madhja që kanë bërë propagandë anti-UÇK që kanë tentu me e denigru aktivitetin çlirimtar në luftën heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha Dedaj.

Ndërsa, lidhur me vizitën në Qirez, Dedaj tha që ka pasur mundësi që dikush nga delegacioni ka folur lidhur me dorëzimin e armatimeve.

“Ka mundësi që dikush nga delegacioni që edhe ka fol për këtë çështje ose me porosi ose nga bindja e vetë. Nuk përjashtohet kjo mundësi”, tha Dedaj.

Dedaj thotë se kishte insistuar të dëshmonte në seancë të mbyllur

Gjergj Dedaj e ka ripersëritur se ka kërkuar që të dëshmojë në seancë të mbyllur dhe sipas tij seancat e hapura janë të dhunshme dhe kundër dëshirës së tij.

“I them familjes time dhe publikut, këto seancat e hapura për mua janë të dhunshme dhe kundër dëshirës sime”, tha Dedaj.

Dedaj tha se ka dashur që të konsultohet edhe me avokatë, mirëpo katër prej tyre të cilët i kishte takuar në Prishtinë sipas tij nuk kishin dashur që t’ia sqarojnë procedurat gjyqësore, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Ta takoj një avokat. Asnjëherë nuk më është ofru një avokat. Kam kërkuar kur jam thirr nga zonja Prokurore në Prishtinë, të kontaktoj ndonjë avokat në Prishtinë se unë nuk i di proceset gjyqësore se unë kurrë nuk kam marrë pjesë në ndonjë gjyq dhe katër avokatë që i kam thirr në Prishtinë asnjë s’ka pranu me fol me mu me m’sqaru për këto procedura”, tha Dedaj.

Dedaj tha se familjarët e tij janë të rrezikuar dhe kanë me qenë të tillë.

“Edhe prej Prishtine unë kam kërkuar që seancat me qenë të mbyllura-private edhe këtu sa jam kërkoj. Edhe disa njerëz të familjes sime janë ka mendojnë se unë kam kërkuar seancë të hapur dhe ndihen të rrezikuar. Në fakt janë të rrezikum dhe kanë me qenë të rrezikum”, tha ai.

Dedaj tha se përveç në Facebook, ka ofendime edhe nga Zyra e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Më brengos shumë dhe më lë pa gjumë edhe fëmijët e mi më kanë shkru mramë. Kam marrë me qindra ofendime prej hienave të Facebook-ut, miliongonave, mushkonjave të Facebook-ut, por edhe nga Zyra e Presidentes të ashtuquajtur Osmani, e cila e dimë se si ka ardh presidente, u kanë në LDK, e ka keqpërdor LDK-në…Unë jam ka pësoj dhe ka hakmarrje edhe ndaj fëmijëve të mi që janë në punë”, tha Dedaj.

Lidhur me deklaratat e tij të pasluftës, Dedaj tha se ka hulumtuar dhe e ka kuptuar që lidhur me atë ngjarje Hashim Thaçi është i pafajshëm.

“Të gjitha deklaratat e mia prej vitit 2001 dhe deri e kam kuptu atë, më është dashur shumë kohë me e kuptu saktë se kush ka bashkëbisedu me mu, posaçërisht grupi kush ka qenë që është përplas me ne. Sot e asaj dite dhe nuk kam dëshirë me vdek pa i ditur ata emra se kush kanë qenë ata. E kam vizitu edhe Qirezin, kam shku edhe në Qirez me mbledh informacione në Drenicë e ku kam mujt me e ditë saktë se kush ishte fajtor dhe ka fundi, mas një kohë shumë të gjatë, jo për me justifiku diçka këtu, jam bind se presidenti Hashim Thaçi, ama bash lidhje as fajin më të vogël nuk e ka për atë situatën në Qirez dhe Baicë”, tha Dedaj.

Tutje, Dedaj tha se e falënderon Thaçin, pasi që sipas tij ai i ka shpëtuar.

“Sikur të ishte e kundërta i kisha thënë që është fajtor dhe as nuk mërzitna. Është absolutisht i pafajshëm, bile vetëm e falënderoj, mos të kishte qenë ky në atë moment atje nuk e di se çfarë do të kishte ndodhë me ne, kjo është e vërtetë”, tha Dedaj.

Gjatë dëshmisë së tij pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës, dëshmitari Gjergj Dedaj tha se është duke pësuar, si dhe ka hakmarrje ndaj fëmijëve të tij të cilët janë në punë.

Dedaj është pyetur nga avokati i Hashim Thaçit, Luka Misetiq, edhe për deklaratat e Sanie Aliut.

Aliu kishte thënë se në Qirez ishin ndaluar nga Policia sekrete e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila iu kishte thënë se të gjithë përfaqësuesit politikë janë të arrestuar ndërsa gratë dhe gazetarët janë lënë që të shkojnë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Citon zonjën Aliu; papritmas në zyrë hynë një grup i ushtarëve të UÇK-së, rreth dhjetë veta të armatosur rëndë dhe i kërkuan nga të gjithë të pranishmit letërnjoftimet për t’i dërguar për verifikim. Pas një kohe, kërkuan nga shoferët e automjeteve tona të dalin jashtë kurse njëri prej tyre që u prezantua si udhëheqës i shërbimit sekret të UÇK-së me ton kërcënues na pyeti ‘pse keni ardhur këtu të mbani këtë në mbledhje’ shpjegoi zonja Aliu dhe shtoi se ata u interesuan të dinë për qëllimin dhe organizatorin e kësaj vizite”, tha Misetiq.

Nga avokati, Dedaj u pyet nëse pajtohet me deklarimin e Aliut.

“Pasi na e kthyen letërnjoftimin, ata thanë se përveç femrave dhe gazetarëve, të gjithë përfaqësuesit politikë janë të arrestuar nga policia serkrete e UÇK-së, pohoi ajo duke u thënë atyre grupit të policisë sekrete të UÇK-së i cili më tej kishte theksuar se ata do të arrestohen dhe të gjithë ata që flasin dhe shkruajnë kundër UÇK-së. A pajtoheni ju me ato që zonja Aliu i ka treguar “Kohës Ditore” më 22 shtator të 1998, a ka ndodhë ashtu?”, tha avokati Misetiq.

Ndërsa, Dedaj u përgjigj që Aliu mund të ketë patur halucinacione, sepse një gjë e tillë nuk ka qenë e vërtetë.

“Ajo ka mujtë me pa ëndërr ose me pas ndonjë halucinacion, por nuk ka qenë e vërtetë plus grupi që është kthyer për Prishtinë menjëherë nuk është korrekt, ata mund të spekulojnë se ata janë shku menjëherë për Prishtinë. Ata që kemi mbet aty, 13 prej nesh ata mund të flasin se është e drejtë e tyre. Po ata që s’kanë qenë aty e tash flasin, unë nuk mundem me ia mohu, secili ia ka fut kot sipas dëshirës së vetë”, tha Dedaj.

Dedaj: Në Qirez kam shkuar si në dasmë

Ish-ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj, është marrë në pyetje nga mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi, në lidhje me ndalimin e pretenduar të tij në vitin 1998 në fshatin Qirez të Skenderajt.Dedaj ka deklaruar se deri në Qirez ka shkuar pa marrë leje nga përfaqësues të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke shtuar se këtë e ka bërë pasi ishin deputetë.

Sipas Dedajt, ka qenë e logjikshme që UÇK-ja ta ndalonte këtë delegacion pasi shtoi se “kanë shkuar si në dasmë”.

“Çdo ushtri në botë do të bënte të njëjtën gjë…Logjika na tregon se kanë pasur arsye të na ndalojnë dhe të shohin se kush ishim ne. Një delegacion që ka shkuar me vetura si në dasmë, me kravata, do të duhej të ndalohej”, ka shtuar ai, duke iu përgjigjur pyetjeve të avokatit Luka Misetiq.

Ish-ambasadori është shprehur tutje se situata në Qirez ishte e rëndë.

“Unë s’kam biseduar me forcat serbe, ato na kanë kërcënuar, fyer, na e kanë hapur bagazhin…Kam pasur një grumbull letrash që u kam dërguar institucioneve ndërkombëtare për marshin tonë, për t’i bindur ata që të na lejojnë të lëvizim tutje. Sa herë më kanë nxjerr nga vetura si përfaqësues i delegacionit, ka dalë edhe zonja e nderuar Nekibe Kelmendi…Unë s’e kemi njoftuar askënd nga UÇK-ja sepse ne ishim deputetë, në atë zonë ku kemi shkuar s’ka pasur mundësi të mbaheshin zgjedhjet në 98-n…S’kemi kërkuar leje për t’i vizituar zonat e popullatës civile”, ka thënë ai.

Dedaj: Jam distancuar nga deklarimet e kaluara

Ish-ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj, po vijon me dhënien e dëshmisë para Dhomave të Specializuara të martën.

Ai po iu përgjigjet pyetjeve të Zyrës së Prokurorisë së Specializuar, derisa gjatë dëshmisë ka thënë se kërkuar që seanca të jetë e mbyllur “që të mos rrezikohet familja”.

“Keni bërë padrejtësi ndaj meje, në pyetjet që po mi bëni… Së pari jam përgjegjës të mbroj familjen time dhe fëmijët e tij. Kam kërkuar seancat të jenë të mbyllura që të mos rrezikohet familja dhe e ardhmja ime në Kosovë”, ka thënë Dedaj, derisa Prokuroria i ka bërë thirrje t’u mos flasë jashtë temës.

Seanca më pas ka kaluar e mbyllur.

Gjatë dëshmisë, Dedaj ka përsëritur se gjatë qëndrimit në Baicë, pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, iu kishte dërguar birra dhe ushqime.

“Unë jam këtu, do të jem këtu dhe ju faleminderit…Ne nuk kemi shkuar atje në pushime, as në Maldive e as në pushime verore. Kosova digjej, Drenica ishte në flakë, s’kishte bukë as për fëmijët.Ne kemi ngrënë atë që kanë ngrënë ushtarët e UÇK-së, ushqimi s’ka pasur asnjë vërejtje. Kur kemi kërkuar birra si në hotel na kanë sjell birra në Baicë…Po më pyesni për detaje 25 vjet më parë, 25 vjetët e mia janë sa 2500 vjet tuajat në Evropë”, ka shtuar ai.

Ai ka theksuar se me Hashim Thaçin është përshëndetur dhe s’ka pasur asnjë problem me të.

“Me Hashim Thaçin jemi përshëndetur me dorë si burrat dhe të tjerat s’më kujtohen….Kam bërë deklarime në gjendjen time të rënduar, në procese të rivarrimeve, e ndoshta kam pasur edhe hidhërime të pabesueshme. Ndoshta edhe revanshuese dhe ekzagjeruese. Nga të gjitha këto jam distancuar”, ka thënë Dedaj.

“Më ka rrëshqitur këmba…Ka qenë e mundshme në oborrin e shkollës, derisa po shkoja në tualet në shkollën ‘Migjeni’ tualeti ka qenë larg shkollës dhe ka qenë natë. Jam rrëzuar, jam ngritur e kjo s’është kurrfarë…në njëfarë mënyre s’kam pasur dëshirë të rrëzohem, por kam pasur të drejtë të rrëzohem. Ka qenë terr dhe shi, ka qenë lagësht”, ka shtuar ai derisa po përgjigjej në pyetjen e Prokurorisë se si ishte rrëzuar kur po mbahej në Baicë.

Në disa raste, gjykatësi i ka tërhequr vërejtjen Dedajt, duke i kërkuar të përgjigjet në pyetjet konkrete të ZPS-së.

Gjatë dëshmisë, Dedaj është përballur me një pamje të viteve të pasluftës, ku shihej se njërën dorë e kishte të nxirë.

Image

Ai u pyet për gjendjen e tij shëndetësore, ndërsa tha se “mirë që i kam pasur të dyja duart”.

Publikime te ngjashme