Ministria e Jashtme gjermane ka vlerësuar të hënën se situata në Serbi “mbetet thellësisht shqetësuese” dhe vlerësoi se “aktivistët, për të folur hapur, po përballen me sulme dhe fushata shpifëse”.
Siç njoftoi ministria përmes rrjetit social X, “është e nevojshme që media dhe politikanët të sillen me përgjegjësi”, përcjell Telegrafi.
“Serbia është një vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe si e tillë presim që ajo të respektojë sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut”, thuhet në deklaratën e saj.
The situation in #Serbia remains deeply concerning: Activists face attacks and smear campaigns for raising their voices. Media and politicians need to act responsibly. #Serbia is an #EU candidate, and as such, we expect it to uphold the rule of law and human rights.
— GermanForeignOffice (@GermanyDiplo) February 17, 2025
Dhe menjëherë ka ardhur një reagim nga Serbia.
Sipas mediave serbe, Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë iu përgjigj vlerësimit të ministrisë gjermane se situata në Serbi është “thellësisht shqetësuese”, duke thënë se “Serbia ka një peizazh të gjallë dhe të larmishëm politik dhe mediatik ku mund të shprehen lirisht mendimet e ndryshme”.
Në përgjigjen e saj, të publikuar edhe në X, ministria serbe theksoi se “Serbia mbetet plotësisht e përkushtuar për të mbështetur vlerat demokratike, sundimin e ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, si parime themelore të shoqërisë sonë dhe rrugës sonë evropiane”.
Ministria serbe gjithashtu hodhi poshtë akuzat për “fushatë shpifëse”.
The Republic of Serbia remains fully committed to upholding democratic values, the rule of law, and the protection of human rights, as fundamental principles of our society and our European path. Serbia has a vibrant and diverse political and media landscape where differing… https://t.co/yF0xqnX2QT
— MFA Serbia (@MFASerbia) February 17, 2025
“Ne hedhim poshtë kategorikisht çdo akuzë të përgjithësuar që nuk merr parasysh kontekstin e plotë të dinamikës politike dhe mediatike në Serbi. Çdo shqetësim duhet të adresohet përmes dialogut konstruktiv dhe të bazuar në fakte të verifikueshme, në vend të pretendimeve të pabazuara”, tha Ministria e Punëve të Jashtme të Serbisë.
Ajo theksoi se “Serbia pret që të gjithë partnerët e saj, përfshirë Gjermaninë, t’u qasen çështjeve të tilla me respektin e duhur për sovranitetin dhe institucionet demokratike të Serbisë”.
“Si vend kandidat për anëtarësim në BE, Serbia mbetet e përkushtuar në përmbushjen e detyrimeve të saj, por gjithashtu pret drejtësi dhe respekt të ndërsjellë në diskursin për këto çështje të rëndësishme”, tha ministria serbe./Telegrafi