Fitorja e Ramiz Lladrovcit në Drenas ka shkaktuar një tërmet politik brenda Partisë Demokratike të Kosovës, me deputetin Nait Hasani që ka kërkuar publikisht dorëheqjen e kryetarit Memli Krasniqi dhe të gjithë strukturave drejtuese në Drenicë.
Në një prononcim për Tëvë1, Hasani deklaroi se fitorja e Lladrovcit, i cili garoi si i pavarur, është një dëshmi se kryesia aktuale e PDK-së nuk është më legjitime. Sipas tij, gabimi fillestar i partisë ishte moskandidimi i Lladrovcit.
“Të gjithë qytetarët e Drenasit e kanë mbështetur atë kundër Memli Krasniqit dhe strukturave aktuale të PDK-së,” theksoi Hasani, duke hedhur poshtë pretendimet se fitorja erdhi nga votat e Lëvizjes Vetëvendosje.
Ai i bëri thirrje kryesisë që të reflektojë dhe të zbusë politikat, në vend që të fajësojë të tjerët. Duke i bërë jehonë qëndrimit të vetë Lladrovcit, Hasani e mbylli deklaratën me një thirrje të prerë për përgjegjësi morale.
“Në politikë ka moral. Nëse Memli dhe të tjerët kanë moral, bashkë me deputetët në Drenicë që i ka mundur Ramizi, duhet të japin dorëheqje. S’kanë më fytyrë të qëndrojnë aty,” përfundoi ai./lajmishqip.net