Fillon dëshminë dëshmitari i dytë – intervistimi i tij do të zgjasë pesë ditë

1 minute, 16 seconds Read

Në Hagë po vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.

Sot po vazhdohet me procesin e paraqitjes së provave, përkatësisht dëgjimin e dëshmitarëve.

Dëshmitarja e parë e ZPS-së W4474 ka dhënë dëshminë e saj në seancë të mbyllur për publikun, sikurse edhe javën e kaluar.

Pas pyetjeve të parashtruar nga mbrojtja e Jakup Krasniqit, e njëjta ka përfunduar dëshminë e saj.

Tash ka filluar të dëgjohet dëshmitari tjetër i ZPS-së. Gjykatësi Charles Smith ka njoftuar se intervistimi i tij do të zgjasë pesë ditë.

Pas më shumë se dy vjet në paraburgim, gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka filluar më 3 prill me deklaratat hyrëse të palëve.

Ata po akuzohen nga Zyra e Prokurorit të Specializuar me akuza për krime kundër njerëzimit, si përndjekje, burgosje, akte çnjerëzore, torturë, zhdukje dhe vrasje, si dhe me 4 pika për krime lufte si arrestim, ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje të paligjshme.

Sipas aktakuzës këto krime janë kryer në territore të ndryshme të Kosovës dhe Shqipërisë, si në Likoc, Jabllanicë, Llapushnik, Drenoc, Malishevë, Bajgorë, Majac, Zllash, Kleçkë, Kukës dhe Rahovec

Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

Telegrafi do t’iu mbajë të informuar rreth seancës së sotme gjyqësore në Hagë./Telegrafi

Publikime te ngjashme