Erdogan me akuza të rënda: Ambiciet e Netanyahut si të Hitlerit, po e tërheqin botën drejt katastrofës

1 minute, 25 seconds Read

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka lëshuar akuza të ashpra kundër Izraelit dhe kryeministrit të tij, Benjamin Netanyahu, duke e krahasuar atë me Hitlerin dhe duke e cilësuar qeverinë e tij si “pengesën më të madhe për paqen rajonale”. Këto deklarata të forta u bënë gjatë fjalimit të tij në sesionin e 51-të të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik në Stamboll.

Duke folur para liderëve të botës islame, Erdogan akuzoi Izraelin për një politikë dyvjeçare të “shkatërrimit, pushtimit dhe dhunës”, e cila, sipas tij, ka gjetur “mbështetje të pakushtëzuar nga vendet perëndimore”. Ai theksoi se agresioni izraelit nuk është kufizuar vetëm në Gaza, por është shtrirë edhe në Liban, Jemen, Siri dhe së fundmi ndaj Iranit, të cilin e quajti një akt të “terrorizmit shtetëror izraelit”.

Në pikën më kulmore të fjalimit të tij, presidenti turk bëri një krahasim të drejtpërdrejtë historik, duke paralajmëruar për pasoja globale. “Ashtu si shkëndija e ndezur nga Hitleri 90 vjet më parë që dogji botën, po ashtu edhe ambiciet sioniste të Netanyahu-t nuk kanë tjetër qëllim veçse të tërheqin botën drejt një katastrofe,” theksoi Erdogan.

Ai gjithashtu shprehu shqetësim të thellë për sulmet ndaj Xhamisë Al-Aksa në Jerusalem, duke i quajtur të papranueshme përpjekjet për uzurpimin e shenjtërisë së saj.

Në përfundim, Erdogan u bëri thirrje vendeve me ndikim mbi Izraelin që të mos bien pre e propagandës dhe të punojnë për një zgjidhje paqësore. “Zgjidhja duhet të vijë përmes dialogut,” përfundoi ai, raporton lajmishqip.

Publikime te ngjashme