“E vrava se më kishte pohuar tradhtinë”, detaje për masakrën me familjen shqiptare në Itali

1 minute, 50 seconds Read

Taulant Malaj, 45-vjeçar shqiptari që vrau vajzën e tij 16-vjeçare dhe fqinjin Massimo De Santis, për të cilin ai besonte se ishte i dashuri i gruas së tij, ka rrëfyer para hetuesve arsyet e krimit të rëndë.“Gruaja ime pranoi se ajo kishte një lidhje me Massimon. Më kishte kërkuar falje për këtë marrëdhënie, por doja të ndahesha”.

Ai thotë se e kishte zbuluar gruan e tij Teftën duke biseduar me fqinjin italian përmes telefonit.

Taulanti kishte pritur që Massimo të kthehej në shtëpi nga lokali.

Sapo burri hyn në pallat, ai e godet rreth 20 herë me thikë për vdekje.

Më pas u ngjit në shtëpi ku filloi të godiste me thikë gruan dhe më pas vajzën e tij, e cila po përpiqej të mbronte nënën e saj, ngjarje të cilat edhe i dokumentoi përmes një video.

Edhe pse në gjendje të rënduar psikologjike, gjatë marrjes në pyetje Malaj ka pyetur vazhdimisht për vajzën e tij duke thënë “Si është Xhesika, a është mirë?”

Mediat italiane shkruajnë se 45-vjeçari shqiptar ishte mjaft i lidhur me dy fëmijët e tij.

Djali 5-vjeçar i çiftit mundi t’i shpëtonte masakrës duke u fshehur në divanin e shtëpisë.

I frikësuar ai është gjetur nga karabinerët të cilët ia kanë besuar xhaxhallarëve të tij.

Dhjetorin e kaluar burri ishte punësuar si bukëpjekës në furrën “Latartara” në Torremaggiore.

“Ai punonte gjithmonë edhe kur kishte mbaruar turnin, nuk ndalonte kurrë”, thonë kolegët e tij të cilët kanë folur për gazetarët.

Ndërsa, fqinjët janë shprehur për mediat italiane, se ata ishin një familje e qetë dhe gjatë gjithë kohës të qeshur.

Tefta dhe Taulant Malaj kishin 17 vite martesë.

Bashkëshortja e 45-vjeçarit është shtëpiake, por herë pas here punonte si kujdestare për disa të moshuar në fshat.

Aktualisht gjendja e saj shëndetësore paraqitet e stabilizuar ndërsa pritet që deklaratat e saj të jenë thelbësore për hetimet./Tv Klan

Publikime te ngjashme