Dy ditë pasi Lajçak s’u përgjigj për hetim ndërkombëtar rreth Banjskës, Kurti kërkon Gjykatë Speciale për terroristët serbë

3 minutes, 43 seconds Read

As hetim ndërkombëtar e as sanksione deri më tash nuk ka lidhur me sulmin terrorist në Banjskë më 24 shtator. E pikërisht kur po bëhen një muaj nga ky sulm, Kurti po kërkon Gjykatë Speciale për terroristët serbë. Por, pse?

Ditë e shtunë kur “pesëshja” e Evropës zbarkoi në Kosovë, përshëndetjen më të ftohtë me njërin nga ta e kishte kryeministri Kurti. Ai ishte emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, të cilin Kurti e akuzoi se po ia mban anën Serbisë në dialog.

E pas takimit të së shtunës, Lajçak nuk u përgjigj nëse do të ketë një hetim ndërkombëtar për sulmin terrorist në Banjskë.

“Procesi është duke vazhduar, BE-ja, NATO, janë shumë të zënë duke u marrë me faktet dhe mendoj se koha do të vijë shpejt që ju do të informoheni për këtë.”, tha Lajçak.

E sot, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka propozuar krijimin e një Gjykate Speciale për terroristët serbë. Sipas tij, kështu do të demokratizohej Ballkani.

“Mirëpo, Kosova nuk ka jurisdiksion në Serbi. A nuk do të duhej që BE-ja dhe ShBA-të ta formojnë një Gjykatë Speciale për Klanin e Novi Sadit? Mafia ballkanike do të përjetonte goditje fatale, ndërkaq rajoni i Ballkanit do të hapej i tëri për demokraci evropiane, drejtësi ligjore, paqe të qëndrueshme dhe zhvillim të përshpejtuar”, shkroi Kurti.

“Në katër komunat veriore të Kosovës po merr fund terrori, kriminaliteti dhe kultura e dhunës e paramilitarëve të Delije (tifozët e Cërvena Zvezdës) që shprehet me nofkat e ekstremistëve si: Mami, Llune, Daco, Rusi, Nemac, Gile, Drago, Aco, Comi, Belli, Micko, Prki, Mrki etj”, theksoi ai.

Kurti përmendi Klanin e Novi Sadit si organizator të sulmit terrorist në Banjskë. Aty tha se udhëheqës ka qenë Millosh Vuçeviq, ministër i Mbrojtjes i Serbisë.

“Sulmin paramilitar e terrorist në Banjskë të Zveçanit e ka organizuar Klani i Novi Sadit. Në krye të tij ndodhet Ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Millosh Vuçeviq. Ai është kryetari i partisë-shtet SNS, tri herë i zgjedhur kryebashkiak i Novi Sadit me ndihmën e Zvonko Veselinoviqit, dhe miku më i afërt i vëllaut të Presidentit të Serbisë, Andrej Vuçiq”, tha Kurti.

Ai bëri të ditur se rreth 40 pelegrinë në Manastirin e Banjskës, më 24 shtator kanë qenë nga Novi Sadi.

“Rreth 40 pelegrinë ortodoksë në Manastir të Banjskës me 24 shtator ishin nga Novi Sadi. Ndoshta e rastësishme, hetimet duhet ta tregojnë. Grupi terrorist në arrati i udhëhequr nga Millan Radoiçiq po qëndron në Rashkë. Atyre MUP-i famëkeq serb iu ka ndarë vetura të tipit Shkoda Oktavia me ngjyrë të bardhë dhe të zezë e me tabela regjistrimi BG dhe… NS”, tha ai.

“Para dy dekadave në Serbi sundonte Klani i Zemunit, kurse tash vendin atij ia ka zënë Klani i Novi Sadit. Kriminelë në luftë, kriminelë në paqe; kriminelë në Serbi, kriminelë në Kosovë. Presidenti i shtetit, Aleksandar Vuçiq, porsi një capo-di-tutti-capi, ndodhet aty për të dëshmuar që ndonëse krimi e dikton shtetin, në fakt, është shteti që e dikton krimin”, ka shkruar kryeministri i Kosovës.

Deri më tash bashkësia ndërkombëtare nuk e ka sanksionuar Serbinë, duke theksuar se janë në pritje të rezultateve të hetimit.

Emisari i BE-së, Lajçak, tha të shtunën se 24 shtatori ka ndryshuar shumë gjëra.

“Ne gjithmonë kemi plan. Ne kemi një plan, ne diskutuam planet tona me kryeministrin Kurti dhe do t’i diskutojmë me presidentin Vuçiq sot më vonë. Kështu që ju më kuptoni se nuk do të futem në detaje në këtë moment. Së dyti, nuk ka alternativë për dialogun sepse dialogu sjell normalizim mes Kosovës dhe Serbisë dhe hap rrugën evropiane për Kosovën dhe Serbinë. Sulmet në Banjskë më 24 shtator kanë ndryshuar shumë gjëra dhe unë mendoj se isha shumë i qartë se duhet të jenë mirë të hetuara, duhet të sjellën konkluzione dhe përgjegjësit duhet të përballen me pasoja.”, tha ai.

Ka hyrë sot në fuqi vendimi me të cilin disa linja të autobusëve të “Trafikut Urban” në Prishtinë kanë ndryshuar rrjedhën e qarkullimit.

Publikime te ngjashme