“Dy besime brenda një shtëpie; gruaja myslimane e burri katolik, nipi e daja…”, refleksionet e publicistit të njohur

14 minutes, 0 seconds Read

Nga Ndue Dedaj

FETARIA UNIKALE E LURËS-
(ose bashkëjetesa e dy besimeve nën një çati)

Lura ka pasur fatin e lum si asnjë krahinë tjetër e Shqipërisë, të ngërthejë brenda saj dy vlera më të vërtetë fondamentale, njërën që ka të bëjë me mrekullinë e natyrës (vendi më i bukur jo vetëm shqiptar, por mbase dhe i gjithë rajonit ballkanik) dhe bashkëjetesën fetare brenda shtëpisë, si rrallëkund tjetër në botë. Në të dyja këto, ajo është dy herë simbol, i bukurisë natyrore dhe i harmonisë fetare. Ka qenë zakon në botën shqiptare, nderimi i vendeve të shenjta, paçka se cilit besim i përkisnin. Rëndësi kishte që ishte vend i shenjtë, vakuf/vakëf. Aty nuk merreshin gurë, nuk priteshin dru, thjesht aty meditohej fetarisht. Nëse nuk ishte i fesë tënde, ishte i fesë së tjetrit. Në një fshat jo larg Peshkopisë, në vendin e një ish-kishe të vjetër, njerëzit nuk presin dru, e ruajnë toponimin kishtar siç ka qenë dhe pse tashmë aty, të gjithë janë të besimit mysliman.

Banorët e një fshati afër Lezhës me paratë e tyre, ri konstruktojnë kohët e fundit teqenë e vjetër monument, në respekt të vendit të shenjtë, dhe pse ata tashmë janë të gjithë të besimit katolik. Kjo është traditë, kulturë, qytetari. Është folur e shkruar jo pak kohët e fundit, rreth kishës së Malit të Bardhë në Kurbin, ndërtuar dhe me kontributin vullnetar të myslimanëve të fshatit. Por ky nuk duhet parë si një zbulim. Ata njerëz kanë kremtuar gjithnjë të kremtet fetare të njëri-tjetrit, pa e ndërruar fenë, si Shën-Mëhillin etj. Kjo vetëm i ka bërë më miqësorë e vëllazërorë mes tyre.

Por nuk është vetëm Mali i Bardhi i tillë. Imzot Frano Illia, në vitet ’60-të, shkruan se; “Në Vinjallë, tashti s’ka asnjë katolik”, por “vinjallasit megjithëse muhamedanë, e lusin festën e Shën Nikollit, atë të Shna Prendes, e deri tash vonë edhe me miq si katolikët. Të shtunën e madhe të Rrëshajve, (njëlloj) si katolikët, në mesditë i lëshojnë qetë, fillon festa. Tradita të tilla kanë mbetë qysh se kanë qenë katolikë. Vinjallasit kanë devocion të veçantë për Shën Nikollin e kishën e tij në katund të vet.”(Frano Illia, Famullia e Milotit, 2006, fq. 118.)

Por mund të shohim dhe më thellë në histori. Në botime të hershme, shkruhet se në malësitë shqiptare, bie në sy; “devotshmëria e disa grave myslimane, ndaj së Lumes Virgjin, që agjërojnë të shtunave në nderim të saj dhe sjellin lule e facoleta përpara figurës së Shën Mërisë”. (A. P. DI Venezia, Histori Serafica, f. 343; cituar sipas P. Vinçenc Malaj, Kuvendi i Arbënit 1703, f. 205.)

Ky është pranimi i tjetrit, sipas kodeve shqiptare të mirëkuptimit dhe do të ishte e gabuar të shpjegohet me; “feja e shqiptarit asht shqiptaria”, që nuk i lëviz presja nga konteksti kulturor dhe rrethanat historike kur është shqiptuar. Studiuesi amerikan, Robert J. Stevens, ashtu si Durham e, të tjerë, shkruan se; “shqiptari nuk është fanatik në lidhje me fenë dhe feja e tij nuk nënkupton kombësi”. (R. Stevens, “Zhvillimet politike në Shqipëri 1920-1939”, Tiranë 2004, f. 9.)

Shqiptaria si ndjesi e lartë kombëtare, nuk e përjashton përkatësinë fetare të akcilit, ajo nuk është fe, për të nuk ka institucion kulti. Ndaj është mirë që me ligjërimet patriotike të Rilindjes, të mos teprohet duke i konfonduar me ligjërimin socrealist të djeshëm, a këtë të sotmin, pasi është më shumë se një shekull në mes. Por, të vazhdojmë ndër leximet fetare shqiptare.

Kohët e fundit, është bërë e re kisha e Lurës dhe kujdestari i saj për tre vitet e ndërtimit, ka qenë një mysliman. Lura është shembulli unikal në botën shqiptare, ku dy besimet bashkëjetojnë brenda një shtëpie. Gruaja myslimane e burri katolik, njëri vëlla katolik e, tjetri mysliman, nipi mysliman, e daja katolik, etj. Nuk është e rastit që Imzot Nikollë Kaçorri, ishte biri i një gruaje myslimane.

Teksa prifti tjetër i përmendur i fillimeve të shekullit XX-të nga Kurbini, Dom Pashk Lalpepaj (“Turku”), rridhte nga një familje muhamedane. Dhe nuk është vetëm Lura e tillë, por dhe disa zona të tjera, ku si të thuash pikë-pritën besimet: katolik dhe mysliman, si në Selitë, Mat, Pukë, Malësi e Madhe, Lezhë, Gjakovë etj.

Ndoshta Lura, s’mund të jetë ndryshe, porse e përveçme në gjithçka, si; mbretëresha e bukurisë shqiptare, me shtatë kupa të argjendta në duar dhe me të papërsëritshmin, ende-mikun, Zambakun Shqiptar (Albanicum Lilium). Lura, si një ëndërr që të gjithë duan ta shohin dhe si një magji që të gjithë duan ta prekin. Lura që mund të krahasohet vetëm me veten. Me kisha e njëherësh xhami. Me një kanun të vetin. Relacioni e saj me besimin, është unik. Lurasit, kudo që shkonin, kur i pyesnin: “A je katolik, a mysliman”, përgjigjeshin: “jam i luras”. Kjo nuk i heq asgjë përkatësisë fetare, por dëshmon kryekrejet identitetin e tyre të racës.

Po si funksiononte marrëdhënia e saj ndërfetare? Ja si na e përshkruan shtëpinë e Vladit, një 70-vjeçar i asaj dere. “Shtëpia jonë është e njohur në Lurë. Herët ishin të gjithë të besimit katolik. Njëri nga djemtë e saj, Kola, e mori gruan myslimane, nga fisi Haldedaj, dhe pati me të tre djem, Matën, Bibën e Bushin, i pari mysliman dy të tjerët katolikë. Dhe kështu vazhduan në këtë familje të madhe dhe breznitë, një brezni myslimane dhe dy të tjera katolike. Jetonim në të njëjtën shtëpi, kullë. Mata festonte Bajramin me të tijtë (gruan dhe fëmijët), Biba dhe Bushi, Pashkët me të vetët.

Kur Mata mbante ramazan, të tjerët i bënin shërbimet e agjërimit, përfshi dhe pjesa katolike e shtëpisë që përkujdesej. Vetëm prej familjes së tij nuk mbahej derr dhe nuk futej mishi i derrit në shtëpi. Edhe mbasi shtëpia e madhe u nda, familjet katolike të rrjedhura prej saj përsëri nuk mbanin derr, por e blinin mishin e derrit në pazar. Prej atëherë Vladajt ishin disa katolikë dhe disa myslimanë”. (Elez Vladi, Rrëshen, tetor 2014.)

Mirëkuptimi, pranimi i fesë së tjetrit, pa kurrfarë meraku, bashkëjetesa e njerëzve me besime të ndryshme, shihet dhe në mënyrën se si ndodhi ndarja e familjes, në dy besime. Kur e shoqja i tha Kolë Vladit, se; fëmijën e parë donte t’ia linte në fenë e saj (myslimane), ai iu përgjigj; “po” dhe e mbajti fjalën. Kështu kishte ngjarë me të gjitha familjet dybesimshe të Lurës. Na familjen Mariseni (Koçeku), tre vëllezër: Gjoni, Kola dhe Biba, ishin katolikë, kurse Daliu, po vëlla me ta, ishte mysliman, të katërt të një nëne dhe një babe.

I lurasi, ishte i ndërgjegjshëm se besimi në jetën e tij, nuk mund të ishte asnjëherë prishës, përçarës, ndarës. Edhe pse feja myslimane ishte futur nga pushtuesi otoman, me konvertim të katolikëve, shpesh me dhunë, shqiptari kishte ditur ta “përshtaste” atë, më kodet e veta të harmonisë, siç mund kishte ngjarë herët dhe me besimet e tjera. Dukuria e martesës së vajzave myslimane me katolikët dhe e kundërta, shtrihej dhe përtej Lurës.

Princi i Mirditës fqinje, Prengë Bibë Doda, ishte nip myslimanësh në familjen e Ajazit në Lurë. Vajza ishte e bukur dhe Kapidanit i ra në kokë, o me e marr, o s’ka. Atëherë njerëzit e saj thanë: “Princ deshe e, princ more”. Natyrisht jo gjithë here martesa të tilla kanë qenë të lehta, ka patur madje dhe rrëmbime vajzash, kthim të gruas myslimane në besimin e burrit etj. “Nip myslimanësh (i shtëpisë së Vladit) ka qenë dhe Imzot Nikollë Kaçorri. Nëna e tij, Hana, myslimane, u martua me Vokërr Kaçorrin në lagjen ‘Fang’ të Krejë-Lurës dhe pati dy djem Ndrecën dhe Nikollën. Kur Don Nikolla, mbaroi shkollën, dajat e tij i shkuan me lodër, curle dhe një ka hullie përdore. Vëllai i tij, Ndreca, i’u tha: “Po ne, nuk kemi darsëm”?! “E po ky asht ba prift, e kjo asht dasma e tij, prandaj kemi ardhë me e urue”. (Elez Vladi, Rrëshen, tetor 2014.)

“Jemi të përzier” thonë në Lurë. Edhe myslimanët kanë marrë gra te katolikët, si te Rajtajt në Krejë-Lurë, por dhe në Fan, etj. Kështu Doçi, katolik, ka marrë grua myslimane nga Tharri në fisin Cara, i fisit Koleci në Lami të Madh, ka marrë në Gjikolaj, mysliman i shtëpisë së Vladit ka marrë grua katolike po në Selitë (Mirditë), e cila ishte dhe vetë një zonë e përzier në pikëpamje të besimeve, pasi dy fshatrat e saj, që shkojnë me Matin, Lami i Madh dhe Gjoçaj, ishin me popullsi myslimane, kurse Zajsi, Tharri dhe Mërkurthi, me banorë katolikë, dhe pak familje myslimane (Cara, Simoni).

Teksa në vitet e “socializmit” është krijuar një marrëdhënie më e gjerë martesore, mes shqiptarëve të besimeve të ndryshme, me martesat e përziera katolikë/ortodoks e myslimanë, çka vazhdon dhe sot e gjithë ditën, zakonisht pa u konvertuar gruaja në besimin e burrit.

Po nuk është vetëm Lura. Dhe nuk janë bërë vetëm vonë lidhjet martesore myslimanë – katolikë, por dhe herët. Princi i Mirditës, Bibë Doda, kishte marrë një vajzë myslimane për grua nga Lura. Në familjen myslimane Marku në Reç të Dibrës, martohet një grua katolike nga Mirdita fqinje. Xhelal Marku, pasardhësi i saj, (gazetar shumëvjeçar në TVSH), tregon: “Siç ma kanë treguar historinë e gjyshes time, Hane Mena (Vladi), njerëzit e saj, ajo ka qenë mbesë tek Kapidani i Mirditës – Gjomarku në Orosh.

Emri i nënës së gjyshes time, ka qenë Prena Gjomarkaj, por që e thirrnin Prena Mirdita. Ajo ishte martuar me një burrë fisnik, të zgjuar e trim, të fisit të Bajraktarit të Lurës, që quhej Kros Mena. Nga martesa e Kros Menës me Prena Gjomarkajn, lindën vetëm tre vajza: Dava Mena, Hane Mena (gjyshja ime) dhe Hike Mena.

Kjo martesë jo e zakontë mes dy fiseve të mëdha e të njohura: Gjomarkut e Menës, që ishin të feve të ndryshme (katolik e mysliman), erdhi pas një lidhje mes tyre, ku thuhet se Kapidani, ra në hasmëri me dikë dhe i kërkoi Menës, që ta strehonte deri në sqarimin e kësaj çështje. Kështu për dy vjet, Kapidani u prit me bujari e besë nga Bajraktari i Lurës – Mena, kohë që u desh për të bërë marrëveshjen (pajtimin) për hasmërinë që kishte Kapidani. Kur Kapidani do të largohej nga kulla e Menës, i thotë të zotit të shtëpisë reçiane, se; unë për mikpritjen, bujarinë dhe besnikërinë tuaj, do t’ju bëj mik, pa asnjë kusht dhe i’u dha një vajzë, Prenën, që e mori për nuse, Kros Mena. Ajo do të ishte gjyshja ime, e cila ka qenë një grua me emër e me zë, jo vetëm në Lurë, por dhe në Dibër. Ajo mbante allti në brez, luftonte krah për krah me burra, kuvendonte me burra dhe pinte kafe e duhan me çibuk, po në mexhlise burrash.

Ndaj atë, nuk e shihje kurrë në kuvend me gratë. Krejt e veçantë. Ajo kishte dhe një portret të bukur, si artiste filmash, që i ngjante Marie Logorecit. Kaq shkurtimisht për Hane Menën, gjyshen time të nderuar”. Por historia tipike luriane-reçiane, e ndër besimeve në një familje, nuk do të ndalej këtu. Xhelali shton: “Unë sot në shtëpinë time, kam në bashkëjetesë tre fe: katolike (djali familjarisht me nusen dhe tre fëmijët), myslimane (jam unë me dy vajzat e mia) dhe ortodokse, që është gruaja – Lefteria. Tre fe brenda një shtëpie, ku festohen të gjitha festat fetare, të gjitha besimeve”. Unë këtë e kam quajtur si uniteti i të rinjve, pasi nuk është një rast i vetmuar, por një dukuri. Kështu një zonjë myslimane nga Shqipëria e Mesme ishte martuar në një familje, me vjehrrin katolik e vjehrrën ortodokse.

Apo nuk është gjysma katolik e gjysma mysliman dhe vetë emri Xhelal Marku? Herët katolikë e, më vonë të konvertuar më myslimanë, si plotë të ngjashëm në Mat, Dibër e Kukës, me emra myslimanë e mbiemra katolikë. Po ashtu Gjon Deda, ish-kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Rrethit të Mirditës, ka qenë katolik, kurse vëllai i tij, Islam Moriseni, ishte mysliman, apo brenda një shtëpie tek Doçi, ishin gjysma myslimanë dhe gjysma katolikë. Po përmend disa emra: Halit Doçi, Skënder Doçi, Ali Doçi, Bib Doçi, Kol Doçi, Ded Doçi, Zef Doçi, Lek Doçi etj. Kjo është familja shqiptare. Ashtu siç ka ndodhur dhe e kundërta, në disa familje katolike në Mirditë, mbiemri është mysliman: Haxhia, Beqiri, Xhaferri, Sinani etj. Shpjegohet pse ka ndodhur kjo…?!

Konvertimi si proces, kuptohet më shumë se nga letrat nga kujtesa e brezave, deri atyre të sotëm, që e trashëgojnë këtë nga gjyshërit. Në Kukës apo Burrel, intelektualë të lexuar të thonë se; konvertimi nuk ishte ndonjë gjë e dëshiruar nga paraardhësit e tyre, se ai u krye me shpatë mbi krye, porse ata asnjëherë, nuk i kanë harruar rrënjët katolike, duke treguar detaje interesante rreth kësaj mbijetese. (S. Dida, P. Palushi, A. Kurti)

Se si shqiptarët sillen me vendet e shenjta, e tregon pelegrinazhi biblik te Kisha e Shna Ndojt në Laç të Kurbinit, ku venë besimtarët pa dallim…! Apo në Rubik, ku së voni kemi një simbol gjithë-fetar, i vetmi në Ballkan, i krijuar para dhjetë vjetësh, në një gurë të gdhendur si kupë, në oborrin e kishës njëmijëvjeçare të Rubikut. Ka një lexim të vetin, mjaft domethënës, që bashkon në një tre fetë Abrahamite.

Laiciteti është kundraja jonë shtetërorë, që shërbehet dhe nga besimet, priftërinjtë, imamët etj. Idriz Xhumara, e shpjegon si një një rastësi ose rrjedhojë e martesës me dy gra, e pranuar nga islamizmi. Kuptohet që ka ekzistuar një marrëveshje që fëmijët që do të lindin, do të kishin përkatësinë fetare të nënës.

Një qytet i vjetër shqiptar si Shkodra, ndër emblemat e qytetërimit shqiptar, ka ndërkohë varreza katolike dhe varreza myslimane, në njëfarë mënyre; “lagje katolike” dhe “lagje myslimane”, por këto të fundit, po i vëmë në thonjëza, pasi nuk janë zyrtare. Nuk po e sjellim këtë fakt për të hapur debat, nëse duhet të vazhdojmë dhe në të ardhmen kështu apo jo? As të tërheqim vëmendjen, se si do t’i përgjigjej kësaj pyetje para nxënësve, mësuesi i “lëndës së fesë” në shkollë? As të vërejmë ato komunitete qytetare, ku katolikë, myslimanë, ortodoks, njerëz të besimeve të tjera dhe jobesimtarë, varrosen në të njëjtat varreza publike, pa kurrfarë problemi etj., pasi kjo do të ishte një analizë më vete.

Vetëm një pyetje do të kishim sa më sipër, si ndodh në një familje të përzier (burri mysliman, gruaja katolike apo e anasjellta) kur ata vdesin? Ku varrosen? Njëri në varrezat katolike, tjetri në ato myslimane? Kanë patur jetën bashkë, a thua do t’i ndante vdekja? Ende më tej, si ndodhte dikur në Lurë, në familje të tilla të laramanizuara në aspektin e besimit, burri katolik-gruaja myslimane?

Shënim: Do të dëshiroja vetëm dëshmi, fakte si ka ndodhur e ndodh dhe jo komente. Meditim po… por dhe reflektim, kulturor, social! /Memorie.al

Publikime te ngjashme