Në debatin e sotëm në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës në Strasburg, në të cilin do të shqyrtohet raporti për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, janë paraqitur për diskutim 50 përfaqësuese të shteteve të ndryshme.
Në seancën e Asamblesë Parlamentare të KiE, po merr pjesë edhe delegacioni i deputetëve nga Kuvendi i Kosovës, kurse për diskutim janë paraqitu Nënkryetarja e Kuvendit Sarand Bogujevci dhe deputetët Arben Gashi dhe Enis Kervan.
Ndërkaq nga Shqipëria do të diskutojnë Blerina Gjylameti, Lulzim Basha, Klotilda Bushka, Etilda Gjonaj.
Në emër të grupeve politike do të flasin Iulian Bulai nga Rumania, Alexis Tsipras nga Greqia, Frank Schwabe nga Gjermania, Ingjerd Schie Schou nga Norvegjia dhe Zsolt Nemeth nga Hungaria.
Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës në seancën plenare që është duke u zhvilluar do të hedhë në votim raportin për anëtarësimin eventual të Kosovës në këtë organizatë gjatë seancës plenare që do të mbahet në Strasburg më 16 prill. Para fillimit të seancës, Komisioni për Politikë dhe Demokraci i kësaj organizate i hodhi poshtë ndryshimet e propozuara nga Serbia për raportin.
Bëhet fjalë për votimin e një mendimi pozitiv sa i përket anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, në organizatën e cila kryesisht merret me të drejtat e njeriut dhe zhvillimin e demokracisë.
Raporti u përpilua nga deputetja greke, Dora Bakoyannis, dhe drafti i këtij raporti ishte miratuar në mars nga Komiteti për Politikë dhe Demokraci i kësaj organizate.
Për t’u miratuar nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës duhet të sigurohet një shumicë prej dy të tretave të votave të anëtarëve të pranishëm në mbledhje. Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës përbëhet nga deputetët të cilët vijnë nga parlamentet nacionale të vendeve anëtare.
Nëse Asambleja Parlamentare sot voton pro anëtarësimit të Kosovës të martën, atëherë çështja kalon në duart e ministrave të Jashtëm të Këshillit të Evropës, të cilët duhet të vendosin përfundimisht nëse Kosova do të bëhet anëtarja më e re e organizatës.
Takimi i radhës i Këshillit të Ministrave do të zhvillohet në mesin e muajit maj. Këshilli i Ministrave të Jashtëm në Këshillin e Evropës takohet një herë në vit, tradicionalisht në muajin maj.
Por, ka zëra në qarqet diplomatike që thonë se anëtarësimi i Kosovës mund të mos vendoset fare në agjendën e takimit e ministrave në maj.
Kjo lidhet edhe me aktivitetin e vendeve të QUINT-it, Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Britania e Madhe, Franca dhe Italia, të cilat zakonisht e mbështesin Kosovën, por tani duan të shohin nga Kosova lëvizje drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. /Telegrafi/