Policia e Kosovës në dy raste të ndara, në tre rajone të ndryshme ka sekuestruar lëndë narkotike të dyshuara për kokainë dhe marihuanë si dhe ka arrestuar tre persona të dyshuar për përfshirje në veprat penale të narkotikëve.
Në rastin e parë operacioni policor është zhvilluar në rajonin e Prizrenit dhe Gjakovës.
Si rezultat i hetimeve disamujore bazuar edhe në urdhëresën me shkrim për kontroll të lëshuar nga gjykata kompetente, më datë 28.03.2024 Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotik me njësitë e saj vartëse në Prizren dhe Gjakovë si dhe në asistencë të NjRSh-së dhe Forenzikës Kriminalistike kanë realizuar kontrolle në pronat e tre të dyshuarve meshkuj kosovarë.
Si prova materiale gjatë këtij operacioni janë sekuestruar dëshmitë si në vijim: disa qese plastike me substancë narkotike të dyshuar të llojit Kokainë (me peshë të përgjithshme 487.96 gram), dy peshore elektronike, tri foli plastike, një role alumini, dy shirita ngjitës, një qese plastike me substancë të dyshuar narkotike e llojit Marihuanë me peshë 0.95 gram, tre telefona mobil, një armë zjarri (pistoletë ) me 49 fishekë, një veturë me targa vendore.
Në njoftimin për media bëhet e ditur se lidhur me rastin njëri nga të dyshuarit ndodhet në arrati teksa dy nga të dyshuarit tjerë janë intervistuar në prezencë të avokatëve mbrojtës dhe pas intervistimit me vendim mbi ndalim nga prokurori i shtetit janë ndaluar për 48 orë.
Rasti i dytë është në rajonin e Pejës.
Njësia për Hetimin e Trafikimit me Narkotik-Pejë pas një pune operativo hetimore në teren, më 28.03.2024 në Pejë ka ndaluar të dyshuarin mashkull kosovar me veturë (me targa vendore).
Ndaj të dyshuarit është kryer një kontroll rutinore me ç‘rast në një pako cigaresh i janë gjetur 3 joint ( cigare e mbështjellë me Marihuanë) në peshë prej 2.3 gramësh.
“Në konsultim me prokurorin është kontrolluar edhe banesa e të dyshuarit të lartcekur në prani të avokatit të tij, ku gjatë kontrollit në banesë i janë gjetur: një sasi e substancës së dyshuar narkotike e llojit Marihuanë në peshë prej 28.01 gram, një grindër për përgatitje/bluarje të marihuanës, 16 fara të llojit Kanabis Sativa, dy gota qelqi me një lëngë që dyshohet të jetë i llojit Kanabis Sativa me peshë rreth 50ml secila prej tyre, 9 vazo të vogla të dyshuara si të mbjella me fara të Kanabis Sativa dhe të holla në vlerë prej 34.752 euro”, thuhet në njoftim.
Lidhur me rastin i dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe me vendim të prokurorit kujdestar është lëshuar vendim mbi ndalimin në afat prej 48 orësh.