Përballja sportive ndërmjet Kosovës dhe Turqisë ka zgjuar një interesim të jashtëzakonshëm, duke tërhequr vëmendjen e zyrtarëve më të lartë të shtetit turk.
Për ta ndjekur këtë ndeshje nga afër, në Kosovë tashmë ka arritur ministri i Rinisë dhe Sportit të Turqisë, Osman Aşkın Bak, i shoqëruar nga një delegacion i rëndësishëm.
Ai është pritur me një ceremoni zyrtare nga zëvendëskryeministri i Qeverisë së Kosovës, Fikrim Damka, në një atmosferë që konfirmon raportet e ngushta mes dy vendeve.
Mbrëmjen e nesërme do të zhvillohet takimi Kosovë–Turqi, ndërsa sot u prit me nderime ministri Osman Aşkın Bak, së bashku me krerët e Federatës Turke të Futbollit dhe ekipin kombëtar, nën shoqërimin e ministrit të Rinisë dhe Sportit të Kosovës, z. Blerim Gashani, si dhe ambasadorit turk në Prishtinë, z. Sabri Tunç Angılı.
Gjatë kësaj vizite, u zhvilluan takime me presidentin e FFK-së, z. Agim Ademi, dhe homologun e tij turk, z. İbrahim Hacıosmanoğlu, ku u bisedua me futbollistët duke shprehur dëshirën që në këtë duel fitues i vetëm të jetë fryma e miqësisë dhe vëllazërisë.
Duke vlerësuar lart kontributin e sportit në konsolidimin e raporteve dhe lidhjeve të forta mes dy popujve, palët u uruan suksese të përzemërta të gjithë sportistëve që do të përfaqësojnë ngjyrat e tyre në fushë./lajmishqip.net
