Brenda vetëm një dite mblidhen më shumë se gjysma e nënshkrimeve për largimin e kryetarit të Mitrovicës Veriore

1 minute, 36 seconds Read

Sanja Kërtiniq, anëtare e grupit iniciues për shkarkimin e kryetarit të komunës së Mitrovicës së Veriut, tha se vlerësohet se gjatë ditës janë mbledhur më shumë se gjysma e nënshkrimeve të nevojshme për dorëzimin e iniciativës.

Kërtiniq ka thënë se salla e sportit, ku sot në mëngjes ka filluar mbledhja e nënshkrimeve për shkarkimin e kryetarit Erden Atiq, ka qenë e mbushur me njerëz dhe se është shprehur e kënaqur me reagimin e qytetarëve, transmeton Ballkani.info.

Mbledhja e nënshkrimeve për shkarkimin e kryetarit ka zgjatur nga ora 9:00 deri në orën 16:00 dhe është bërë e ditur se nënshkrimi i nismës do të vazhdojë edhe nesër, kur pritet të mblidhet numri i mjaftueshëm i nënshkrimeve për shkarkimin e Atiqit.

Peticioni i cili duhet të nënshkruhet nga 20 për qind e votuesve nga komuna e Mitrovicës së Veriut, gjegjësisht 3640 votues, duhet t’i dorëzohet kryetarit të Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së Veriut deri më 22 janar dhe ekziston mundësia e vazhdimit të afatit edhe për 15 ditë të tjera.

Mbledhja e nënshkrimeve për peticionin ka nisur pesë ditë para afatit, pasi grupi nismëtar nuk kishte autorizim për zonën ku do të mblidhte firmat.

Të drejtën e nënshkrimit të peticionit kanë të gjithë qytetarët me letërnjoftim të vlefshëm të Kosovës dhe të cilët janë të regjistruar në listën e votuesve për komunën e Mitrovicës së Veriut.

Zyrtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Erden Atiq, për të cilin po mblidhen nënshkrimet e dorëheqjes, ka marrë detyrën si kryetar i Mitrovicës së Veriut në maj të vitit të kaluar, pas zgjedhjeve lokale të bojkotuara nga shumica e partive serbe./Ballkani.info

Publikime te ngjashme