Bordi e pezullon Nagip Krasniqin nga pozita e drejtorit në KEK, Përparim Kabashi emërohet ushtrues detyre!

1 minute, 54 seconds Read

Bordi i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), ka njoftuar të martën se e ka pezulluar nga puna kryeshefin ekzekutiv të KEK-ut, Nagip Krasniqi, i cili u arrestua javën e kaluar nga Policia e Kosovës.

Krasniqi u arrestua pas një urdhri nga Prokuroria Speciale. Ai dyshohet për përfshirje në korrupsion dhe aktualisht ndodhet në paraburgim.

Në vend të tij si ushtrues detyre është vendosur Përparim Kabashi.

“Në mbledhjen e Bordit të Drejtorëve (BD) të KEK-ut, të mbajtur sot, me dt. 25.04.2023, janë marr vendimet si në vijim: BD ka marre vendim për pezullimin nga detyra e punës së Kryeshefit Ekzekutiv z. Nagip Krasniqi me efekt të menjëhershëm. Në pozitën e ushtruesit të detyrës të zv. Kryeshefit Ekzekutiv, BD ka emëruar z. Perparim Kabashi, aktualisht Drejtor i Njësisë Qendrore për Planifikim dhe Strategji në KEK”, thuhet në njoftimin e KEK-ut.

Paparaci raportoi të hënën për një kontratë në vlerë 1.6 milion euro e KEK-ut me një kompani greke dyshohet se është lidhur përmes ushtrimit të ndikimit të Nagip Krasniqit, kryeshefit të arrestuar të korporatës. Kriteret e dosjes së tenderit janë ndryshuar për t’iu përshtatur një kompanie.

Nagip Krasniqi është arrestuar të mërkurën, nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe dy vepra të tjera penale.

Prokuroria Speciale dyshon se Krasniqi ka lidhur kontrata të dëmshme të prokurimit publik.

Një nga kontrata e dyshuara të dëmshme, është edhe ajo për “Riparim kapital emergjent të kaldasë, blloku A5”, me procedurë të negociuar me kompaninë “Litwin Sa”, me çmim rreth 3.5 milionë, duke ndryshuar kushtet e kontratës.

Kjo, sipas Prokurorisë, ishte bërë me qëllim të përshtatjes së këtij operatori ekonomik, ani se komisioni kishte rekomanduar anulimin e tij, me arsyetimin se operatori ekonomik “Litwin SA” nuk u është përmbajtur kushteve të autoritetit kontraktues, i cili kishte kërkuar ndryshimin e kushteve të veçanta.

Të enjten, në një seancë dëgjimore në Gjykatën Themelore në Prishtinë, gjykatësi i procedurës paraprake vendosi masë të sigurisë prej një muaji paraburgim ndaj kryeshefit të KEK-ut.

Në seancë, Krasniqi i ka mohuar dyshimet që rëndojnë mbi të. Paparaci.com

Publikime te ngjashme