Biznesmenë e shefi i prokurimeve, këta janë të arrestuarit për tenderin në MPB

1 minute, 32 seconds Read

Policia e Kosovës ka arrestuar katër zyrtarë të ministrisë së Punëve të Brendshme, nën dyshimin për pranim të ryshfetit nga operatorë të ndryshëm ekonomik në tenderë në MPB.

Gazeta Insajderi mëson se tre të arrestuarit e këtij aksioni janë dy bizesmenët Naim Selmani e Gëzim Hoti, dhe Shefi i Departamentit të Prokurorimit në MPB Adem Sopa.

Sipas një komunikate për media nga policia thuhet se Sopa gjatë realizimit të disa procedurave tenderuese dhe realizimit të projekteve në MPB, ka marrë ryshfet nga operatori ekonomik i kontraktuar për kryerjen e projekteve.

“Të dyshuarit (N.S.) dhe (G.H.) në cilësi të përfaqësueseve të operatorit ekonomik dyshohen për veprën penale të Dhënies se Ryshfetit me qellim të krijimit të përparësive të paligjshme gjatë realizimit të projektit për ndërtimin e “një objekti të një agjencie” dhe projekteve tjera të zhvilluara nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), të njëjtit dyshohen edhe për veprën penale “Dokumentet e rrejshme lidhur me tatimin” përcaktuar sipas kodit penal të RKS-së”, thuhet në njoftim.

Arrestimin e tyre e ka konfirmuar edhe Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, me anë të një postimi në ‘Facebook’ ka thënë se bashkë me ta, PK-ja ka arrestuar edhe një pronar të një kompanie ndërtimi dhe një punëtor të saj.

“Krimet ekonomike të Policisë së Kosovës kanë zhvilluar sot aksion në Ministrinë e Punëve Brendshme, saktësisht në Departamentin e Prokurimit. Me këtë rast, janë arrestuar tre zyrtarë të Ministrisë si dhe pronari së bashku me një punëtor të një kompanie ndërtimi, katër prej të cilëve sipas njoftimit zyrtar të Policisë janë ndaluar për 48 orë”, ka njoftuar Sveçla./insajderi

Publikime te ngjashme