Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka kërkuar nga FBI-ja të hetojë mënyrën se si janë shpenzuar fondet amerikane në Shqipëri, duke ngritur akuza për shpërdorim në nivelet më të larta qeveritare.
Gjatë një konference për shtyp të mërkurën, Berisha deklaroi se Shqipëria është një rast flagrant i keqpërdorimit të fondeve të taksapaguesve amerikanë, të cilat, sipas tij, janë përdorur për pasurimin e elitave të ekstremit të majtë dhe kapjen e sistemit të drejtësisë nga qeveria.
Ai përmendi emrin e Delina Ficos, duke e cilësuar atë si përfituese të shumave të konsiderueshme nga projektet e USAID-it, nëpërmjet lidhjeve të saj me ministrin Blendi Çuçi dhe kryeministrin Edi Rama.
“Delina Fico dhe këshilltarët e saj ligjorë, përmes kompanisë së saj, kanë afruar shërbime për Gjykatën e Lartë dhe sistemin e drejtësisë, duke përfituar në mënyrë të paligjshme rreth 10 milionë euro nga fondet e USAID-it. Madje, paga e saj është dy herë më e lartë se ajo e ambasadorit të SHBA në Shqipëri,” deklaroi Berisha, sipas Euronews Albania.
Ai theksoi se këto fonde janë përdorur për ndikimin politik në drejtësi, dhe akuzoi qeverinë për kontroll të plotë mbi institucionet e drejtësisë.
“E kuptoj se censura ndaj këtyre abuzimeve është e fortë, por unë nuk po merrem me asgjë tjetër veçse me fondet e taksapaguesve amerikanë, të cilat janë keqpërdorur në mënyrë të tmerrshme. Përgjegjës për këtë janë Edi Rama dhe Blendi Çuçi,” shtoi ai.
Duke insistuar në nevojën për një prokurori të pavarur, Berisha tha se një hetim serioz do të kishte nisur menjëherë mbi këto raste.
Ai premtoi gjithashtu një auditim të plotë të fondeve, duke përfshirë ekspertë shqiptarë dhe amerikanë, për të siguruar mbajtjen e përgjegjësisë ligjore mbi keqpërdorimet e pretenduara.