Ndryshe nga Mbretëria e Bashkuar, ku zhvillohet një festival muzikor thuajse çdo javë, ka vende nëpër botë ku ka pak mundësi për të kërcyer nën ritmet e muzikës live.
Pikërisht këtë donin të ndryshonin Dua Lipa dhe i ati i saj Dukagjin, në qytetin e familjes së tyre në Prishtinë, Kosovë, shkruan media britanike “BBC”.
Ata i dhanë dritën jeshile festivalit Sunny Hill.
“Dua të ndryshoj retorikën e asaj që njerëzit mendojnë për Kosovën dhe se ajo është e shkatërruar nga lufta”, ka rrëfyer Dua në fillim të këtij viti.
“Kur jetoja në Kosovë, asnjë nga artistët që doja të shihja nuk erdhi kurrë”.
Dua ka lindur në Mbretërinë e Bashkuar, por u transferua në Prishtinë kur ishte ende fëmijë pas një lufte në fund të viteve 1990 që la më shumë se 10 mijë viktima, teksa Kosova luftoi për pavarësinë.
Dukagjini ka treguar se e kishte “gjithmonë ëndërr” të kishte diçka si Sunny Hill në Prishtinë, pasi kishte punuar në industrinë e ngjarjeve të muzikës live për vite përpara se Dua të bëhej një yll ndërkombëtar i muzikës pop.
Në vitin 2018, dhjetë vjet pasi Kosova shpalli pavarësinë, nisi Sunny Hill.
Por atëherë ishte më e vështirë të bindeshin artistë të tjerë botërorë që të luanin dhe vitin e ardhshëm Dua iu drejtua miqve të saj si Miley Cyrus dhe Calvin Harris për t’u kërkuar atyre të performonin në rajon për herë të parë.
Me kalimin e kohës, kjo ndryshoi mënyrën se si festivali u pa nga artistët e tjerë dhe ekipet e tyre menaxhuese.
“Kur flas me artistët për ardhjen, them: Shiko, mund të mos kesh tekilën që dëshiron, por më beso se do të kesh pajisjet më të mira të zërit”.
Të dhënat e fundit vlerësojnë se rreth 40 për qind e vizitorëve ishin nga jashtë Kosovës – duke vënë në dukje se do të ndikohet fuqishëm nga diaspora e vendit pasi ata me lidhje familjare sjellin miq bashkë me ta.
Disa kishin udhëtuar nga shumë larg, edhe nga Çikago, për të parë artistë si Bebe Rexha, Burna Boy, Stormzy dhe DJ Snake që kryesuan skenën fundjavën e kaluar.
Groove Armada, Black Coffee dhe Griff ishin gjithashtu të pranishëm.
“BBC” vijon duke shkruar se Kosova mendohet të ketë popullsinë më të re në Evropë, pasi më shumë se gjysma vlerësohet të jetë nën moshën 30-vjeçare.
Kufizimet e udhëtimit, deri në fillim të këtij viti, nënkuptonin që muzikantët vendas nuk kishin fleksibilitetin për të luajtur në pjesë të tjera të kontinentit.
“Nuk është aq e lehtë të jesh muzikant”, ka treguar këngëtari La Fazani, i cili ka luajtur disa herë në Sunny Hill.
“E vetmja mënyrë për të fituar të ardhura të mira është duke luajtur në klube nate”.
Kohët e fundit ai fitoi një shfaqje të madhe televizive në vend, por thotë se pa Sunny Hill nuk do të mund të luante drejtpërdrejt me një turmë prej mijëra njerëzish dhe shpreson që lista e të ftuarve të Dua-s mund të përmirësojë karrierën e tij.
“Sunny Hill është një nga gjeneruesit më të mëdhenj të imazhit pozitiv të Kosovës”, ka ravijëzuar ai.
“Ka shumë artisë ndërkombëtarë dhe shpresoj se mund të kem rënë në sy të dikujt që mund t’i pëlqejë çka bëj”.
Sakaq, Dukagjini ka thënë se për projektin e tij Sunny Hill do të jetë e vështirë për të arritur një status si ai i festivalit Glastonbury.
Por, sipas tij, miqtë e industrisë si pronari i Coachella, Paul Tollett, kanë thënë se projekti u kujton Glastonbury në vitet 1980 dhe ai ka plane për ta bërë atë më shumë se një festival muzikor live.
“I dua artistët që kalojnë një ose dy ditë më gjatë në Prishtinë dhe kanë mundësi të takojnë artistë vendas dhe të ndajnë ide”m ka treguar ai.
Marrë nga “BBC”, përshtatur për “Albanian Post”.