Rrjeti social X, i quajtur dikur si Twitter, ia ka bllokuar llogarinë bashkëshortes së Alexei Navalnyt, Yulia Navalnaya, ka raportuar TheGuardian të martën.
“Llogaria është pezulluar”, thuhet në një njoftim në llogarinë e saj, por pa u sqaruar pse.
Navalnaya, 47-vjeçare, e ka akuzuar presidentin rus, Vladimir Putin, për vrasjen e bashkëshortit. Ajo ka thënë se autoritetet ruse e fshehën trupin e tij në burgun e Arktikut me qëllim që të fshiheshin gjurmët e krimit.
Kremlini ka thënë se “s’ka asgjë për të shtuar” për lajmin e vdekjes së Navalnyt.